Abdixhiku kërkon të rinumërohen të gjitha kutitë e votimit, thotë se tjetërsimi i votave po bëhet nga ata që e kanë “gërryer” LDK-në nga brenda
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook, ka reaguar në lidhje me ndryshimin e votave të kandidatëve për deputetë. Ai i ka dal në krah kandidatit për deputet të kësaj partie, Paris Gurit i cili pas rinumërimit i ka marrë 214 vota më shumë, ndonëse ky proces i rinumërimit nuk ka përfunduar…
Lajme
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook, ka reaguar në lidhje me ndryshimin e votave të kandidatëve për deputetë.
Ai i ka dal në krah kandidatit për deputet të kësaj partie, Paris Gurit i cili pas rinumërimit i ka marrë 214 vota më shumë, ndonëse ky proces i rinumërimit nuk ka përfunduar ende.
“Parisit, dhe jo vetëm atij, por dhe politikanëve tjerë të rinj, ua tjetërsuan votën. Jo sepse gabuan, por sepse janë të rinj, të pastër dhe nuk u përshtaten atyre që e kanë kthyer politikën në strehë interesi. Kur goditet një i ri në politikë, nuk goditet vetëm një emër; goditet ideja e një gjenerate që beson te e ardhmja. Mbi të gjitha, goditet reforma!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se kjo që ka ndodhur në disa qytete, nuk është rastësi.
“Është rezistencë e atyre që e kanë gërryer shtëpinë tonë nga brenda dhe sot duan ta ndalin reformën që nuk e durojnë dot. Sulmi ndaj emrave të rinj e të pastër është sulm ndaj punës tonë pesë vjeçare dhe ndaj vullnetit të mbështetësve që është shprehur qartë me votë të lirë. Prandaj, pasoja do të ketë. Për to, na prisni pas Kuvendit. Përtej turpit publik dhe ligjit të Republikës, do të ketë edhe përgjegjësi politike brenda shtëpisë sonë”, ka shtuar Abdixhiku.
Ai ka kërkuar që institucionet e drejtësisë të veprojnë pa vonesë dhe pa përjashtim.
“Përgjegjësi sipas ligjit, burg, për këdo që ka cenuar votën e lirë. Komisionerët manipulues kanë emra. Dihen të gjithë. Jepuni atyre dhe porositësve përgjigjen pa hezitim. Dhe për të hequr çdo dyshim, KQZ duhet të sigurojë rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet. Le të inkurajohen ata që kanë vlerësuar mirë, të zbulohen ata që kanë vjedhë. Vota nuk tjetërsohet. Vota mbrohet.Jam i vetëdijshëm se LDK, krahasuar me të tjerët, ka më së paku shpërputhje dhe parregullsi. Por pikërisht sepse jemi kështu, kemi përgjegjësi të dyfishtë”, ka shkruar Abdixhiku në rrjetin social Facebook. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: