Abdixhiku: Çështja kyçe nuk është Qeveria, por marrëveshja për presidentin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se sfida kryesore për krijimin e institucioneve të reja nuk lidhet me formimin e Qeverisë, por me arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të vendit. Në një intervistë në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Abdixhiku tha se mungesa e…
Lajme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se sfida kryesore për krijimin e institucioneve të reja nuk lidhet me formimin e Qeverisë, por me arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të vendit.
Në një intervistë në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Abdixhiku tha se mungesa e konsensusit politik ndërmjet partive ka qenë pengesa kryesore edhe në përpjekjet e mëhershme për funksionalizimin e institucioneve, transmeton lajmi.net.
“Ne mund të kemi një qeverisje më të dobët, por problemi nuk ka qenë asnjëherë të qeverisja. Problemi ka qenë te zgjedhja e presidentit dhe në thelb ka qenë te mungesa e vullnetit për marrëveshje politike mes partive. Nuk kishim marrëveshje politike herën e kaluar, i pari nuk donte marrëveshje politike me askënd, meqenëse nuk donte me askënd ne për shkak të 60 ditëshit si afat kushtetues me të cilin duhet të shkojmë në zgjedhje nuk arritëm t’i krijojmë këto institucione. Sot e njëjta gjë qëndron, në parim asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket stabilitetit presidencial. Mund të kesh një qeveri jostabile, por nuk mund të kesh stabilitet institucional nëse nuk arrin ta zgjedhësh presidentin dhe presidenti zgjedhet vetëm me marrëveshje politike”, tha ai.
Sipas kreut të LDK-së, partitë politike duhet të fokusohen fillimisht në parimet dhe objektivat e përbashkëta për stabilitet institucional, përpara se të diskutojnë për ndarjen e posteve qeveritare.
Ai theksoi se dialogu politik duhet të nisë nga çështja e presidentit, të cilën e konsideron themelore për funksionimin afatgjatë të institucioneve.
“Fillimisht janë një rend i gjërë i gjërave që duhet të diskutohen në skenën aktuale politike. E para duhet të diskutohen parimet se si po e shohim këtë natyrë të institucioneve. Para se të flasim për pozita duhet të flasim për parime… Partitë mes vete duhet të takohen dhe ato parti duhet të japin pozicionet e veta, LDK e ka parimin e qartë se do stabilitet. Kushdo që i kërkon zgjedhjet e reja është i çmendur, nuk ia do të mirën Republikës së Kosovës. Pra, partitë politike duhet të kërkojnë stabilitetin institucional si vlerë bazike. E dyta duhet të flasim për marrëveshje të gjerë politike, pra të nisim nga e para, nga rëndësia, nga pesha, nga presidenti të nisim, jo nga Kuvendi, Qeveria e pastaj të flasim për presidentin. Nëse ndodh ndryshe kemi zgjedhje të reja, kaq e thjeshtë është”, shtoi ai.
Abdixhiku vlerësoi se pa një marrëveshje të gjerë politike për postin e presidentit, vendi rrezikon të përballet sërish me një cikël të ri zgjedhor, duke e bërë të vështirë sigurimin e stabilitetit institucional dhe politik në Kosovë./lajmi.net/