AAK nuk tërhiqet nga kryeministri: LDK u ngut

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duket se nuk do të tërhiqet nga posti i kryeministrit. Burim Ramadani nga AAK thotë se partia e tyre do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme me në krye kryeministrin Haradinaj. 

Lajme

08/11/2014 19:17

Të gatshëm për të votuar kryeparlamentarin nga radhët e PDK-së, por për emrin e kryeministrit mbetet të diskutohet. Përfaqësuesit e partive të bllokut, gjatë ditës, kanë dhënë deklarata të ndryshme.

Sekretari i AAK-së, Burim Ramadani, ka thënë se deklaratat e pakujdesshme që pasqyrojnë pozicione të ngushta nuk duhet të jenë diskursi i koalicionit. Ai thotë se ditët, e madje edhe javët e ardhshme, do të jenë përcaktuese për formimin e qeverisë, por nuk pranon se do të tërhiqen nga posti i kryeministrit dhe qeverisja Haradinaj do të ndodhë.

Por, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se e vetmja marrëveshje që kanë është ajo për të votuar kryeparlamentarin e PDK-së. Ai i ka pohuar se beson se do të thirret seanca nga Flora Brovina, duke përjashtuar mundësinë që të ketë ndonjë marrëveshje tjetër.

Në Lëvizjen Vetëvendosje kanë bërë të ditur se nuk do të votojnë për kandidatin e PDK-së, pasi, sipas tyre, kjo situatë vjen nga një vendim i padrejtë i Gjykatës Kushtetuese.

Dardan Molliqaj, sekretar organizativ i Vetëvendosjes, thotë se presioni duhet drejtuar te PDK-ja që të thërrasë seancën dhe për të vazhduar me konstituimin e institucioneve.

Por, Partia Demokratike e Kosovës mbetet në qëndrimet e saj se pa të nuk do të bëhet asgjë, raporton KTV.