AAK: Mbulimi i muraleve, shkelje e Ligjit

Vendimi i kryeparlamentarit Kadri Veseli për mbulimin e muraleve në hollin e Kuvendit të Kosovës, është i gabuar dhe i papranueshëm.

Lajme

13/10/2015 15:57

Kështu vlerëson Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët thonë se me mbulimin e muraleve tentohet të mbulohen vlerat e historisë dhe kulturës kosovare, vlera këto që pasqyrojnë identitetin e popullit tonë.

Sipas këtij subjekti, arsyetimi i Kryeparlamantarit për këtë veprim kinse ka respektuar vendimin e paraardhësve të tij dhe 4 legjislaturave të kaluara,  është i pa qëndrueshëm, sepse siç theksojnë ata, muralet janë mbuluar në vitin 2004  në kohën kur Kosova është administruar nga UNMIKU, raporton lajmi.net.

“Dhe Kryeparlamentari duhet ta ketë të qartë se vet organi të cilin ai e drejton në vitin 2006 ka miratuar Ligjin për Trashëgimi Kulturore Ligji Nr. 02/L-88, ku objekt i këtij ligji sipas nenit 1 pika 1.1 janë vlerat e trashëgimisë kulturore, të krijuara gjatë shekujve, gjithashtu mjetet legale dhe teknike për inventarizim, dokumentim, selektimi mbrojtje, konservim, restaurim, administrim, prezantim dhe përhapje të këtyre thesareve në pajtim me kartat dhe konventat ndërkombëtare, pavarësisht nga pronësia e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje. Vlera historike dhe kulturore e kësaj trashëgimie është thesar i tërë popullit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndërsa sipas nenit 1 pika 1.4. qëllimi i këtij ligji, sipas AAK-së,  është që të rregullojë legalisht fushën e trashëgimisë kulturore në lidhje me ruajtjen, mbrojtjen, qasjen publike, komunikimin dhe pajisjen e burimeve të domosdoshme me qëllim që trashëgimia të shijohet nga gjeneratat e tashme dhe të jetë e gatshme për gjeneratat e ardhshme si një dokument historik dhe kulturor.

“Me këtë rast duhet të ia kujtojmë Kryeparlamentarit se Ndërtesa Lidhja e Prizrenit është Monument i Kulturës i mbrojtur me Ligj që nga viti 1968 me vendimin nr. 260/68, dhe është pjesë e Listës së monumenteve që gëzojnë mbrojtje të përkohshme që nga viti 2011,  dhe në Listën e fundit të nënshkruar nga Ministri Shala të premten me 09 10 2015 ky monument është i radhitur me nr. 772 si ndërtesë e shek XIX me nr. Unik në database 002909”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Andaj Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkon nga Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit që të reflektojë, konform ligjit për trashëgimi kulturore, dhe normave ndërkombëtare,  dhe menjëherë  të inicoj procedurat për abrogimin e këtij vendimi , me qellim të përmbushjes së detyrave dhe përgjegjësive  të tij, sepse një ndër objektivat kryesore në politikat programore të MKRS-së është promovimi i Trashëgimisë Kulturore./lajmi.net.