AAK e ka “Përnime” rrëzimin e Qeverisë

Daut Haradinaj thotë se rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, e kanë me gjithë mend. Sipas tij, mocioni për rrëzimin e Qeverisë nuk po bëhet për qëllime të marketingut politik parazgjedhor apo që t’i vihen në ndihmë PDK’së.

Lajme

18/02/2014 19:11

“Përnime” ishte sllogani i AAK’së në fushatën zgjedhore për Kryetar të një komune të cilën e humbi vitin e kaluar.

“Përnime” thonë ta kenë edhe tani me nismën për mocionin për rrëzimin e Qeverisë së Hashim Thaçit.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Daut Haradinaj, ka mohuar që iniciativa e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Thaçi të bëhet për ndonjë arsye marketingu elektoral apo ndihme ndaj Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai thotë se e tyre është ta procedojnë mocionin, pastaj i mbetet deputetëve të vendosin për ndryshimin.

“Ne mund ta procedojmë mocionin, pastaj ju mbetet deputetëve se a janë të interesuar të vazhdojnë mandatin e kryeministrit apo janë të interesuar të kenë ndryshim radikal në ekzekutiv”, tha Haradinaj në emisionin “Rubikon”.

“Ne e kemi nisur këtë procedurë dhe kjo nuk është vetëm sa për të bërë marketing politik parazgjedhor, por është shumë serioze dhe jemi shume të vendosur që ta çojmë deri në fund”.

Por, një gjë e tillë nuk mund të arrihet pa ndihmën e dy partive tjera opozitare LDK e Vetëvendosje, mirëpo Haradinaj thotë se për këtë është i vetëdijshëm.

“Ne jemi të vetëdijshëm se LDK dhe Vetëvendosje i kanë numrat, dhe nëse na i bashkojmë këta numra, po ashtu me deputetët e pavarur  që janë 3-4 diku, numrat ishin për të pasur një votëbesim dhe detyrimisht Qeveria të shkojë prej pushtetit”, ka thënë Daut Haradinaj.