A s’po i dalin mirë matematikat kryeministrit? – Kurti raportohet se i ka dërguar mesazh Osmanit për bashkëpunim dhe për ulje të tensioneve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thuhet se i ka dërguar një mesazh presidentes Vjosa Osmani përmes kryeparlamentares Albulena Haxhiu, me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit dhe shmangien e përplasjeve politike ndërinstitucionale. Sipas burimeve të Gazeta Blic, ky komunikim synon uljen e tensioneve dhe krijimin e një klime më konstruktive mes institucioneve, transmeton lajmi.net. Po ashtu, bëhet…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thuhet se i ka dërguar një mesazh presidentes Vjosa Osmani përmes kryeparlamentares Albulena Haxhiu, me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit dhe shmangien e përplasjeve politike ndërinstitucionale.
Sipas burimeve të Gazeta Blic, ky komunikim synon uljen e tensioneve dhe krijimin e një klime më konstruktive mes institucioneve, transmeton lajmi.net.
Po ashtu, bëhet e ditur se Kurti është referuar në bashkëpunimin e mëhershëm me Osmanin, duke e konsideruar atë si model për të ardhmen.
Nga ana tjetër, Presidenca nuk ka bërë ndonjë reagim lidhur me këtë çështje deri në momentin e publikimit.
Raportet mes Kurtit dhe Osmanit kanë kaluar nga një bashkëpunim i afërt në përplasje të vazhdueshme politike. Të dy ishin aleatë në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje dhe bashkëqeverisën pas zgjedhjeve të vitit 2021, por me kalimin e kohës dolën në pah dallime në qëndrime dhe në ushtrimin e kompetencave institucionale.
Mospajtimet kryesore lidhen me rolin e Presidencës dhe Qeverisë në vendimmarrje, si dhe me çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, ku shpeshherë ka pasur qëndrime jo të harmonizuara.
Tensionet u thelluan edhe gjatë diskutimeve për postin e presidentit, kur Kurti propozoi Glauk Konjufca si kandidat, një veprim që u interpretua si shmangie e rikandidimit të Osmanit dhe që nxiti reagime në skenën politike./lajmi.net/