A po rrezikohet nominimi i filmit ‘Shok’ në Oscar nga pirateria?

Ishte menduar që filmi i metrazhit të shkurtë “Shok”, të prezantohej në repertor të rregullt në kinema, pas përfundimit të ceremonisë së madhe të çmimit Oscar, ku ky film me regji të Jamie Donoghue është nominuar në kategorinë e filmit më të mirë të metrazhit të huaj, por të tjerët duket se nuk e patën durimin deri në prezantimin e këtij filmi në ekranin e madh, pasi që, tashmë e kanë shpërndarë nëpër rrjete sociale, trasnmeton KultPlus.

ShowBiz

08/02/2016 16:05

Para 15 orëve një faqe në rrjetin social facebook e ka shpërndarë këtë film, dhe vetëm në këtë faqe ky film është parë nga 10 mijë persona dhe që është shpërndarë edhe nga mbi 200 të tjerë.

Komente të ndryshme po shihen nëpër rrjete sociale pas plasimit të këtij filmi, ku disa po bëjnë thirrje që të mos e shpërndajnë filmin, sepse, mund ta rrezikojnë për çmimin Oscar, e disa të tjerë, po vazhdojnë të jenë pjesë e piraterisë, duke e shpërndarë në profilet e tyre.

Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës ka thënë për KultPlus se pirateria nuk e rrezikon çmimin Oscar për filmin “Shok”, pasi që, nëse do të bazoheshin në këtë, atëherë edhe filmi “The Revenant”, tash e sa kohë është  shpërndarë në forma të ndryshme të piraterisë .

Mirëpo, nëse flasim në aspektin tjetër, atë të përballjes më ligjin për të drejtën e autorit, Zharku ka thënë se kjo çështje i takon producentit, dhe, sipas tij, atij i bie nëse do ti ndjek nëpërmjet ligjit apo jo.