A po heq dorë Osmani nga “ëndrra” për një mandat tjetër si presidente? Pritet që të betohet si deputete pasi në KQZ nuk njoftoi për tërheqje
Nga zyra e Presidencës ku Vjosa Osmani punoi për pesë vite, ajo do të ushtroj veprimtarinë në ndërtesën shumë afër saj, Kuvendin e Kosovës. Mandatin e deputetes, Osmani vendosi që ta mbaj pasi që dje gjatë certifikimit të rezultateve, KQZ njoftoi se këtë mandat do ta dorëzojnë vetëm Ardian Gjini dhe Daut Haradinaj të AAK-së,…
Lajme
Nga zyra e Presidencës ku Vjosa Osmani punoi për pesë vite, ajo do të ushtroj veprimtarinë në ndërtesën shumë afër saj, Kuvendin e Kosovës.
Mandatin e deputetes, Osmani vendosi që ta mbaj pasi që dje gjatë certifikimit të rezultateve, KQZ njoftoi se këtë mandat do ta dorëzojnë vetëm Ardian Gjini dhe Daut Haradinaj të AAK-së, por jo edhe ish-presidentja e Kosovës.
Ajo garoi si bartëse e listës së LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit, parti nga e cila ishte larguar pesë vite më parë, për të krijuar partinë e saj GUXO, e cila bëri më pas koalicion me VV-në dhe Osmani zuri ulësen e presidentes për pesë vitet e fundit.
Ish-presidentja e shtetit në zgjedhjet e fundit mori 92 mijë e 336 vota, apo plotë 208 mijë e 420 vota më pak se që mori në vitin 2021 kur i printe listës së VV-së, shkruan lajmi.net.
Në këto zgjedhje, Osmani garoi për Presidente ndërkaq kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku për kryeministër, duke shpresuar se me “bashkimin e të djathtës”, do të arrijnë të rrisin numrin e votave dhe të udhëheqin këto dy institucione por që nuk ia dolën. LDK në zgjedhjet e 7 qershorit mori vetëm 16.69% apo 18 deputetë, përqindje kjo thuajse e njëjtë me zgjedhjet e shkurtit 2025, ku Vjosa Osmani nuk ishte fare me LDK-në (së paku publikisht).
Ky rezultat që nuk ishte aspak i kënaqshëm për partinë e që nxori shumë revolta brenda partisë, do ta lë Vjosa Osmanin ulur vetëm në ulësen e deputetes, në rast se LDK nuk bën koalicion me VV-në apo nuk do të pranoj ndonjë post tjetër që siç pati thënë edhe publikisht poste të ngjashme ministrore i kishte propozuar Albin Kurti edhe para zgjedhjeve të 7 qershorit, kur diskutohej për President.
Asokohe madje për Osmanin propozime të tilla ishin “fyese” e tentim për denigrim, pasi kjo e fundit shpresonte se populli e donte për presidente e do e votonte më shumë si prijëse të LDK-së.
E pikërisht Osmani ngjalli edhe më shumë përplasje, polemika e mos-pajtime në LDK, që tani përmes nënshkrimeve duan ta heqin nga drejtimi edhe Lumir Abdixhikun.
Por, pasi do të jetë deputete për 4 vite, a i humbin benefitet e ish-presidentëve Vjosa Osmanit?
Për këtë temë ditë më parë ka folur njohësi i çështjeve juridike, avokati kosovar, Ardian Bajraktari, në një prononcim për lajmi.net, ku theksoi se përfitimet financiare të ish-presidentëve nuk duhet të interpretohen si mundësi për përfitim të dyfishtë nga fondet publike, duke iu referuar edhe praktikave të deritanishme institucionale në raste të ngjashme.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, pas përfundimit të mandatit të rregullt, gëzon të drejta dhe beneficione të përcaktuara me ligj. Këto përfshijnë edhe përfitimin financiar, përkatësisht pensionin në shumën prej 70% e pagës të cilën e merr Presidenti i Republikës së Kosovës. Mirëpo, këto të drejta veçmas përfitimet financiare, nuk duhet parë si mundësi për të përfituar njëkohësisht nga dy burime publike financimi, bazuar edhe në praktiken e deritashme institucionale për raste të tilla”, tha Bajraktari.
Ai shtoi se në rast se një ish-president zgjidhet ose emërohet në një detyrë tjetër publike, atëherë shtrohet çështja e papajtueshmërisë së përfitimeve financiare që rrjedhin nga dy funksione të ndryshme të financuara nga shteti.
“Prandaj, nëse një ish-President zgjedhet apo emërohet në një funksion tjetër publik, siç është mandati i deputetit, atëherë lind çështja e papajtueshmërisë së përfitimeve, dhe ai/ajo duhet të zgjedhë cilin nga kompensimet do t’i përfitoi, sepse nuk mund të ketë në të njëjtën kohë pagën për funksionin e ri publik dhe përfitimin financiar të ish-presidentit”, u shpreh ai.
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar publikisht edhe një mandat për të qenë në krye të shtetit, por që kjo nuk iu ofrua nga kryeministri tashmë në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Ai nuk e kandidoi atë, ndërkaq Osmani kishte thënë se kjo ka ardhur pasi “Kurti nuk donte një Presidente që merret me politikë të jashtme”.
Pas kësaj, Osmani kishte nisur akuza ndaj Kurtit dhe partisë së tij, ndërkaq pas pak ditësh i ishte bashkuar LDK-së.
Kthimin e saj në LDK nuk e deshën shumë figura kyçe të LDK-së, si Avdullah Hoti e Hykmete Bajrami, të cilët edhe në listën e kandidatëve për deputetë u vendosën pas 10-shes së parë.
Rezultati i këtyre zgjedhjeve i vazhdoi debatet dhe polemikat mes partisë, e degë të mëdha të saj kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut, ndërkaq Vjosa Osmani e përkrahu atë, dhe rezultatin prej 16,69% e pa si rritje të partisë. /Lajmi.net/