A po cenohet siguria në Kosovë?- “Strukturat serbe po përdorin kishat dhe manastiret, duke shfaq kërcënim serioz për sigurinë kombëtare”
Policia e Kosovës dje ka arrestuar 16 persona të nacionalitetit serbë, katër prej të cilëve thuhet se janë pjesëtarë aktiv të sigurisë së Serbisë. Këtë gjë e bëri të ditur dje ministri në detyrë i Ministrisë së Brendshme, Xhelal Sveçla. “Në një operacion të përbashkët të realizuar nga organet tona të sigurisë më datë 05.04.2025…

Lajme
Policia e Kosovës dje ka arrestuar 16 persona të nacionalitetit serbë, katër prej të cilëve thuhet se janë pjesëtarë aktiv të sigurisë së Serbisë.
Këtë gjë e bëri të ditur dje ministri në detyrë i Ministrisë së Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Në një operacion të përbashkët të realizuar nga organet tona të sigurisë më datë 05.04.2025 dhe 06.04.2025, janë ndaluar gjithsej 16 persona, të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë. Struktura e të ndaluarve ishte e kombinuar, ku katër prej tyre rezultuan të jenë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë”, ka shkruar Sveçla.
Fillimisht katër persona u ndaluan në Gjakovë kurse 12 të tjerë u ndaluan në qytetin e Prizrenit.
Të arrestuarit po udhëtonin në katër automjete me targa të Serbisë, kurse të njëjtëve u janë sekuestruar fotografi me hartën e Kosovës, imazhe të pjesëtarëve të vrarë të grupit terrorist të Banjskës, një sopat dhe një dritë rotative dhe dy thika.
Lidhur me rastin dhe paralajmërimet për destabilizimin e sigurisë, lajmi.net ka kontaktuar me ekspertët e sigurisë, Drizan Shala dhe Bedri Elezi.
Drizan Shala tha për lajmi.net se përdorimi i vazhdueshëm i manastireve dhe objekteve fetare për operacione destabilizuese janë shenjë se një këto nuk janë raste të izoluara, por se kemi të bëjmë me operacione të planifikuara të strukturave shtetërore të Serbisë.
“Përdorimi i kishave dhe manastireve për qëllime operative nga strukturat e sigurisë së Serbisë po del të jetë një praktikë e vazhdueshme dhe e qëllimshme. Rasti i Manastirit të Banjskës është një shembull konkret ku, nën petkun e pelegrinazhit, janë strehuar individë të lidhur ngushtë me institucionet e sigurisë serbe. Sipas burimeve të sigurisë, në mesin e pelegrinëve ishin të infiltruar anëtarë të strukturave operative të Serbisë, përfshirë katër oficerë aktivë. Një fakt i tillë hedh poshtë çdo pretendim për veprim të izoluar dhe e konfirmon se kemi të bëjmë me një operacion të planifikuar nga struktura shtetërore”, tha fillimisht Shala.
Shala lavdëroi punën e autoriteteve të sigurisë së Kosovës pasi sipas tij kanë treguar vigjilencë të shtuar duke parandaluar çdo inskenim të mundshëm që rrezikon sigurinë publike.
“Institucionet e sigurisë së Kosovës kanë treguar vigjilencë të shtuar dhe kanë ndërmarrë masa për të parandaluar çdo tentativë për inskenime të reja që do të mund të rrezikonin sigurinë publike dhe rendin kushtetues. Strehimi në institucione fetare është një strategji klasike e përdorur nga shërbimet sekrete për të shmangur vëmendjen publike dhe për të ndërtuar baza logjistike me qëllime afatgjata. Rreziku nuk është vetëm simbolik – ai përfshin potencialin për spiunazh, sulme hibride dhe ndërlidhje me struktura të dhunshme nga e kaluara”, shtoi ai.
Tutje ai shton se prania e aeroportit të FSK-së në Gjakovë merr një rëndësi të veçantë pas këtij rasti, teksa potencon se zhvillime të tilla paraqesin kërcënim serioz për sigurinë kombëtare.
“Këto zhvillime përfaqësojnë një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të Kosovës dhe kërkojnë reagim të koordinuar institucional, në nivel vendor dhe ndërkombëtar. Në këtë kontekst, prania e aeroportit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gjakovë merr rëndësi të veçantë, si pjesë e infrastrukturës strategjike që mund të luajë rol kyç në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit të vendit”, përfundoi Drizan Shala për lajmi.net.
Në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi thotë për lajmi.net se arrestimi i shtetasve serbë konsiderohet i nevojshëm dhe i dobishëm.
“Arrestimi i 16 shtetasve serbë në Kosove, si dhe mbajtja në masa e 4 prej tyre, me dyshimet se të njëjtit ishin të përfshirë në aktivitet të cilat kanë për qëllim destabilizimin e vendit, mund të konsiderohen të nevojshme dhe të dobishme, gjithashtu veprime të autoriteteve të rendit të cilat detyra derivojnë nga ligjet për institucionet përkatëse. Institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh paralajmërimet e shumta nga organizma lokal dhe ndërkombëtar për brishtësinë e situatës së sigurisë duhet të ndërmarrin veprimet konkrete operative për të parandaluar aktivitete të cilat mund të cenojnë sigurinë apo destabilizimin e vendit”, tha fillimisht ai.
Tutje, Elezi deklaroi se disa nga konstatimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ishin sa për ‘konsum’ politik.
“Ndërsa sa i përket organizimit dhe mbajtës së takimit të Këshillit të Sigurisë si dhe paralajmërimet nga ky takim, njëherësh edhe konstatimet e publikuara nga kryeministri Kurti, mendoj se janë edhe për konsum politik të subjektit politik e cila udhëheqë me qeverinë në detyrë. Referuar detyrave dhe përgjegjësive operative të institucioneve të sigurisë, si dhe shqetësimeve të Këshillit të Sigurisë, atëherë urgjentisht veprimet e para duhet ishin kalimi i planeve operative standarde të Policisë së Kosovës në plane të avancuara si dislokimi i kapaciteteve policore në burimet e josigurisë dhe ndryshimi i orarit operativ nga 8 orë pune në 12 orë pune, apo në plan operativ me orare shtesë posaçërisht për njësitë e veçanta të cilat operojnë në kuadër të Policisë së Kosovës”, shtoi ai.
Elezi vlerëson se nuk ka rrezik për eskalimin e sigurisë dhe destabilizimin e vendit.
“Poashtu referuar deklaratave të kryeministrit Kurti pas takimit të Këshillit të Sigurisë duhet që Agjencia e Kosovës për Inteligjencë si dhe FSK tē kalojnë në planet operative të gatishmërisë. Bazuar në faktin se nuk kemi hasur në veprime konkrete të avancuara të sigurisë, nuk vlerësojmë se ka rrezik për eskalimin e situatës së sigurisë apo destabilizimin e vendit”, përfundoi Bedri Elezi për lajmi.net.
Kujtojmë që kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti gjatë mandatit të tij kishte paralajmëruar kohë pas kohe për mundësinë e eskalimit të sigurisë në Kosovë dhe planet e Serbisë për destabilizimin e vendit.
Më 24 shtator të vitit 2023, mbeti i vrarë oficeri policor, Afrim Bunjaku nga një grup terroristë serbë që po organizonin plane destabilizuese për veriun e Kosovës. Ndër të akuzuarit kryesor të këtij rasti ishte edhe Milan Radoiçiq i cili u akuzua edhe dje nga Albin Kurti duke e quajtur atë si kryetar ‘de facto’ i Listës Serbe dhe duke potencuar se Serbia po përpiqet që të instrumentalizojë pakicat joserbe për të sabotuar formimin e Qeverisë së re të Kosovës./Lajmi.net/