A është Kadare përfaqësuesi më i denjë i letërsisë shqipe?

Ismail Kadare përbën fenomenin letrar e kulturor shqiptar për të cilin është shkruar më shumë se për cilindo tjetër. Këtë e dëshmon vepra e tij artistike që qarkullon në 45 gjuhë të botës, si dhe kritika me mbi 5 mijë tituj deri në vitin 2010.

ShowBiz

28/01/2016 12:03

Krijimtaria e Kadaresë po ashtu qarkullon në formë elektronike CD, DVD, E-Book, në realizime të ndryshme audiovizulale, teatrale e kinematografike. Një gjë tjetër për t’u theksuar, është përfaqësimi i tij në tekste shkollore në Kosovë, Shqipëri e rajon, duke i përcjellë brezave vetëdije kombëtare e duke i transmetuar atyre “një model të botës”, transmeton lajmi.net

Vepra e shkrimtarit shqiptar, me mbi 120 botime të para në gjuhën amë dhe mbi 1200 botime e ribotime në gjuhë të huaja, është vepra më e madhe në letërsinë shqipe dhe përfaqësuesja më e denjë e saj në letërsinë botërore.

Shkrimi i parë mbi krijimtarinë e autorit publikohet në të njëjtin vit me botimin e vëllimit të parë poetik “Frymëzimet djaloshare”, 1954; studiuesi Razi Brahimi boton recensionin mbi pritjen e  librit me poezi në revistën “Nëndori” të Tiranës. Pak vite më vonë, më 1961, David Samojllov shkroi parathënien e parë për përmbledhjen me lirika në rusisht.

Është domethënëse pritja që i bën shtypi francez botimit të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1970) në gazetat: “Le Monde”, “Le Figaro”, “L’Actualitè”, “L’Express”, “Le Républicain”, “Les lettres françaises”, “Le Fait public”, “L’Illustré”, etj., duke e bërë të njohur letërsinë shqipe në Perëndim. Krejt ndryshe ndodh me botimin e romanit në gjuhën amë, kohë në të cilën shtypi ynë karakterizohej nga shabllonizmi dhe rrezja e ngushtë e përcjelljes së vlerave artistike.

Për veprën e I. Kadaresë janë botuar mbi 170 libra studimorë, pa shënuar këtu shumë teza disertacionesh të mbrojtura në qendra universitare e studimore evropiane e botërore. Libri i parë vjen nga kritika botërore më 1980-në, nga shkrimtari Th. Nydahl kur botoi në suedisht “Liria e avokatit të popullit në poemë: shkrimtari shqiptar Ismail Kadare”. /lajmi.net