A e pranoi AAK për herë të parë haraçin si pjesë të saj?

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila drejtohet nga Ramush Haradinaj, ish kryeministër dhe ish komandant i UÇK-së në rajonin e Dukagjinit, vazhdimisht ishte akuzuar si parti e haraçit. Haradinaj sot për herë të parë, nuk e mohoi këtë. Mund të themi se edhe e pranoi, se në AAK ka njerëz që kryejnë veprimtari kriminale. 

Lajme

13/12/2014 21:05

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, asnjëherë nuk ka mundur të marrë mbështetje më të madhe se sa dhjetë për qind nga elektorati.

Për rreth një dekadë e gjysmë në politikë, kjo parti është sjellë rreth kësaj përqindje. Lideri i saj Ramush Haradinaj, i zgjedhur kryeministër në vitin 2004 me ndihmën e ish presidentit historik, Ibrahim Rugova, kishte qeverisur vetëm 100 ditë, pasi mandati i tij u ndërpre nga Haga e cila e akuzoi për krime të luftës.

Haradinaj me t’u kthyer nga Haga, erdhi me pretendimin për t’u bërë sërish kryeministër, por këtë nuk e arriti, as me Thaçin, të cilit i kërkonte të ja lëshoj postin, e as me Bllokun LAN.  

AAK-ja në zgjedhjet e fundit nuk arriti t’i marrë as dhjetë për qind të votave të elektoratit kosovar. Akuzat më të mëdha që i bënë partitë tjera që konkurronin me të, por edhe pjesë nga shoqëria civile, ishin ato për elementë kriminal brenda partisë, veçanërisht për haraçin.

Kjo parti edhe pse nuk preferonte të fliste shumë për këtë, sa herë nuk mund t’i shmangej kësaj teme, e mohonte atë.

Por nga sot, duket se Haradinaj provoi të filloj një epokë të re me partinë e tij. Ai duket ta ketë parë se kryeministër nuk mund të bëhet me nëntë për qind të votave, e më shumë vota nuk mund të marrë pa e hequr etiketën e haraçit nga partia.

Haradinaj me deklaratat e tij para anëtarësisë së AAK-së, la të nënkuptohej se ai është i vetëdijshëm se në parti ka njerëz që vendosin haraç në Kosovë. Ai sot kërkoi që ata të largohen nga partia e tij, sepse tha që nuk i duhen askujt.

Në këtë mes secili qytetarë para se të bindet që Haradinaj e ka me gjithë mend pastrimin nga strukturat kriminale, duhet t’i shtrojë disa pyetje liderit të AAK-së.

-Pse nuk e ka bërë këtë më herët?

-A është përgjegjës edhe ai personalisht që për gjithë këto vite ka mbajtur në parti njerëz që kryejnë vepra kriminale, siç janë haraçi, shantazhi e korrupsioni?

-Apo, më e pakta, nëse tani e ka seriozisht, a duhet ai që tani të bashkëpunojë me organet e drejtësisë, që ata njerëz të japin përgjegjësi për veprat kriminale që i kanë kryer deri sot, e ndoshta edhe vazhdojnë t’i kryejnë. (lajmi.net)