A e kanë gati përgjigjen për presidenten Osmani? Flasin nga Kushtetuesja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretim lidhur me afatin 30-ditor për konstituimin e Kuvendit. Ajo ka kërkuar sqarime për mënyrën e llogaritjes së këtij afati, me qëllim që të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe të garantojë respektimin e rendit kushtetues. Kjo kërkesë vjen…

Lajme

31/07/2025 08:07

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretim lidhur me afatin 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.

Ajo ka kërkuar sqarime për mënyrën e llogaritjes së këtij afati, me qëllim që të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe të garantojë respektimin e rendit kushtetues.

Kjo kërkesë vjen në një moment kur partitë politike edhe pas seancës së 51-të, ende nuk kanë arritur marrëveshje për formimin e institucioneve, duke kërkuar qartësi kushtetuese për të shmangur krizën institucionale.

Pas kërkesës së Presidentes Osmani, “Front Online” ka dërguar pyetje në adresë të Gjykatës Kushtetuese për të pyetur se kur pritet t’i kthejë një përgjigje Kushtetuesja, kërkesës së Osmanit.

Nga Gjykata Kushtetuese deklaruan se kërkesa e dorëzuar nga Presidentja Vjosa Osmani është duke u proceduar.

“Kërkesa e dorëzuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës më 22 korrik 2025 është duke u proceduar nga Gjykata”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.

Me vendimin e fundit nga Gjykata Kushtetuese, është caktuar një masë e përkohshme deri më 8 gusht, periudhë kjo ku deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë të drejtë të marrin asnjë vendim.

Kjo masë e përkohshme ka filluar nga 27 korriku, ndërsa deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur seanca deri më 26 gusht në ora 22:00 por që nuk kanë arritur rezultat.