A do të paraqitet Kurti nesër në Prokurorinë Speciale?- Gjykata lëshoi urdhër-paraqitje
Ka disa muaj që kryeministri Albin Kurti është ftuar për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale. Pavarësisht kësaj, Kurti ka vazhduar të refuzojë ftesën e Speciales për të dëshmuar në lidhje me rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”. Anipse disa ftesa radhazi iu dërguan kryeministrit Kurti, ky i fundit pati vetëm një përgjigje, që prokurorët ta…

Lajme
Ka disa muaj që kryeministri Albin Kurti është ftuar për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale.
Pavarësisht kësaj, Kurti ka vazhduar të refuzojë ftesën e Speciales për të dëshmuar në lidhje me rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”.
Anipse disa ftesa radhazi iu dërguan kryeministrit Kurti, ky i fundit pati vetëm një përgjigje, që prokurorët ta marrin në pyetje në Kryeministri.
E përpos kësaj, Prokuroria Speciale më pas kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të bëjë kërkesë drejtuar Kurtit që të paraqitet në Prokuroi.
E të premten nga Kryeministria e Kosovës dërguan letër në Gjykatën Themelore ku sërish i thanë që prokurorët ta intervistojnë Kurtin në kryeministri, madje duke ia radhitur edhe disa arsye.
Pas kësaj, Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi se kryeministri Kurti duhet të paraqitet për të dhënë dëshmi në Speciale gjatë ditës e nesërme ( e martë ) në ora 10:00, raporton lajmi.net.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka lëshuar urdhrin e datës 21.02.2025 me të cilin ka obliguar dëshmitarin A.K., që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”.
Kurti ishte ftuar më 10 dhjetor nga prokurorët e Prokurorisë Speciale për të dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit për lëndën me numër PPS.nr.62/2023, që ka të bëjë me kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në bazë të nenit 132 të Kodit të Procedurës Penale, Kryeministri Albin Kurti mund të dënohet me gjobë dhe burgim nëse refuzon të paraqitet në prokurori për të dhënë dëshminë e tij.
Pavarësisht këtyre ftesave, Kurti sërish nuk ka njoftuar nëse do të paraqitet për të dëshmuar apo jo./Lajmi.net/