A do të ketë koalicione paszgjedhore?

Pavarësisht që ka kohë mbi tre muaj për zgjedhjet në Kosovë, partitë politike po japin qëndrime për koalicione pas-zgjedhore. Nga LDK-ja thonë se nuk është e pamundur që të ketë një koalicion në mes tyre dhe Vetëvendosjes, e nga ana tjetër deputeti Xhavit Haliti thotë se nuk duhet të ketë një koalicion në mes PDK-së…

Lajme

23/10/2024 21:26

Pavarësisht që ka kohë mbi tre muaj për zgjedhjet në Kosovë, partitë politike po japin qëndrime për koalicione pas-zgjedhore.

Nga LDK-ja thonë se nuk është e pamundur që të ketë një koalicion në mes tyre dhe Vetëvendosjes, e nga ana tjetër deputeti Xhavit Haliti thotë se nuk duhet të ketë një koalicion në mes PDK-së dhe VV-së derisa nga Vetëvendosje thonë se nuk janë të varur nga klubi i stërvjetëruar politik.

Qytetarët e Republikës së Kosovës më 9 shkurt do iu drejtohen kutive të votimit.

Pavarësisht që janë mbi 100 ditë që na ndajnë nga ky proces, partitë politike kanë filluar të flasin për koalicionet pas zgjedhore.

Një koalicion me Vetëvendosjen nuk e përjashton plotësisht Lidhja Demokratike e Kosovës.

E një qëndrim personal  për një koalicion me Vetëvendosjen e ka deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti.

Ai thotë prerazi se nuk duhet të ketë një koalicion VV-PDK.

Koalicion me PDK-në por as me LDK-në nuk do Lëvizja Vetëvendosje.

Zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka thotë se do të jenë fitues dhe se angazhimi i opozitës për të ulur VV-në nën 50% është i pamundur.

“Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 qytetarët e votuan Lëvizjen VETËVENDOSJE! në atë masë që të mos varej qeverisja nga Klubi i Stërvjetëruar Politik, ndërkaq me qeverisje të mirë e të drejtë sot qeverisja e LV-së gëzon mbështetje edhe më të madhe. Kësisoj, i gjithë angazhimi i këtij klubi partish të vjetra është që të zbresi LV-në nën 50% asisoj që ata të vijnë në shprehje. Ky është një mision i pamundur prej tyre sepse qytetarët e kanë të qartë qeverisjen e LV-së sikurse e din shumë mirë edhe mënyrën e qeverisjes së tyre. Lëvizja VETËVENDOSJE! aktualisht nuk është fare në atë dimension diskutimesh me të cilat po merret ky klub që edhe pas katër vjetëve në opozitë mbetet i stërvjetëruar”, tha Manxhuka.

E gjitha këto deklarime të partive politike i merr me rezervë analisti politik Xhevdet Pozhari.

Koalicioni i fundit në 2019-të ishte në mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.