A bëhet mishi më ekologjik nëse lopët ushqehen me alga?

Studiuesit kanë zbuluar se gjedhët prodhojnë më pak metan që dëmton ambientin, nëse ushqehen me disa lloje të caktuara algash. A shënojnë ushqime të tilla kalimin tek lopët e gjelbëra?

Lifestyle

16/04/2021 12:42

A mund të bëhen bërxollat e mishit të padëmshme për ambientin? Po, një gjë e tillë mund të ndodhë shumë shpejt, thotë një studim i bërë nga shkencëtarët e Universitetit të Kalifornisë në Davis. Sekreti qëndron tek asparagopsis taxiformis. Shkencëtarët kanë përzier për një periudhë të gjatë kohe sasi të vogla të kësaj algeje të kuqe me ushqimin për qetë e llojit 20 Angus-Hereford. Rezultati ka qenë u habitshëm. Algat kanë ulur me 80 përqind sasinë e metanit që nxjerrin këto kafshë ripërtypëse. A përbën kjo gjë pikëkthesën në kalimin tek bërxollat neutrale për klimën?

Dihet se gjedhët nxjerrin sasi të mëdha gazit që dëmton klimën, metanit, kur gromësijnë ose bëjnë pordhë. Metani është 25 herë më i dëmshëm për klimën se sa dioksidi i karbonit. Gjedhët që rriten për prodhimin e qumështit dhe të mishit prodhojnë mbi 9 përqind të gjithë emisioneve të gazrave të dëmshme për klimën, që shkaktohen nga njeriu.

Symbolbild Tierseuchen | Rinder

Me një miliardë lopë që jetojnë mbi rruzull, pasojat e konsumit të mishit dhe qumështit nga njeriu janë të mëdha për klimën. Pjesa që zenë vendet e industrializuara në këto pasoja, është shumë më e madhe se e vendeve të tjera. Konsumi për kokë i mishit në vendet e industrializuara është tre herë më i madh se sa në vendet në zhvillim. Në krye të listës qëndrojnë Australia, SHBA dhe Spanja me konsumin e mbi njëqind kilogrami mish në vit për frymë.

Nëse pasojat për klimën do të zvogëloheshin shumë prej algave, atëherë kjo do të kishte efekt të rëndësishëm në ngadalësimin e ngrohjes së klimës. Për këtë gjë kanë shkruar mediat në gjithë botën. Por ai që nuk do që të futet në turmën e entuziazmuar, duhet të presë ende dhe të vazhdojë të lexojë.

Ndikimi i algave “i mbivlerësuar shumë” 

Ndikimi, që këto rezultate kanë faktikisht mbi bilancin e klimës të prodhimit të mishit, është „mbivlerësuar shumë”, thotë Matthew Hayek, asistent-profesor në Departamentin e studimeve për ambientin në Universitetin Nju Jork. Ai paralajmëron për rreziqet e euforisë së parakohshme lidhur me vendosjen shumë shpejt në pjatë të bërxollës neutrale ndaj klimës.

Rote AlgenAlga asparagopsis taxiformis

Studimi është bërë me kafshët që përdoren për shtimin e mishit, megjithëse pjesa më e madhe e gjedhëve në SHBA jeton në kullota dhe livadhe, argumenton Hayek. “Gjedhët prodhojnë pjesën më të madhe të metanit, mbi 80 përqind, kur hanë bar në fusha.”

Gjatë majmërisë për shtimin e prodhimit të mishit, në fazën e fundit të jetës së tyre, lopët nxjerrin 11 përqind metan. Dhe algat do të luanin rol vetëm tek kjo pjesë e jetës. Kështu që efekti i tyre në bilancin e përgjithshëm do të ishte shumë më i vogël.

Hayek mendon se algat ndihmojnë, por „ndihmojnë vetëm për të zgjidhur një pjesë të vogël të problemit”. Sepse tretja e ushqimit tek lopët është përgjegjëse vetëm për 40 përqind të gjithë bilancit të klimës. 60 përqind ka të bëjë me prodhimin e hajeve, transportin, përpunimin dhe emisionet që dalin nga plehërmi organik në bujqësi.

Shihet prania e bromoformit helmues 

Një problem tjetër është se algat prodhojnë bromoform. Kjo lëndë gjendet në sasi të vogël tek uji i pijshëm dhe pishinat që përmbajnë klor. Bromoformi është shumë helmues kur ndodhet në sasi të madhe. Ai ndikon në funksionet e trurit dhe shkakton dëmtimte të organeve të mëlçisë dhe veshkave.

Windräder in Kanada auf RapsfeldFusha me kolzë që përdoret si foragjere

Në studimet e mëparshme të bëra në Hollandë dhe Australi me asparagopsis taxiformis është arritur që të shihet prania e kësaj substance tek mishi apo qumështi i kafshëve, thotë Hanne Helene Hansen, profesor i asociuar në departamentin e veterinarisë dhe kafshëve në Universitetin e Kopenhagenit. Megjithëse në atë kohë në hajen e kafshëve ka qenë futur më shumë alga dhe mbetjet e bromoformit kanë qenë të vogla. Por Hansen thotë se kjo gjë nuk ka rëndësi. Nuk ka rëndësi sa e madhe ka qenë sasia, „ne nuk duam ta kemi aspak të pranishëm në mishin dhe qumështin tonë, ose në ushqimin e kafshëve.”

Në studimin aktual nuk është vërejtur mbetje e bromoformës tek kafshët. Autorët e studimit shohin potencial të madh tek mundësia e uljes së kostos së ushqimit të kafshëve nëpërmjet algave. Pyetja është nga mund të merret alga, bari i detit, për një miliardë gjedhët që ka bota. Asparagopsis taxiformis ka ardhur deri tani kryesisht nga Australia.

„Zbatimi logjistik i kësaj ideje do përbënte problem,” thotë Pekka Pesonen nga Copa-Cogeca, shoqata mbareuropiane e bujqësisë. Edhe për efektet mbi shëndetit e kafshëve, „duhen më shumë informacione”, thotë Pesonen. Por në përgjithësi ai mendon se kjo ide është shumë premtuese. Edhe studiuesi Hansen flet për idetë kërkimore që fokusohen tek kultivimi i llojeve të ndryshme të barit të detit në hemisferën e veriut, të cilat nuk prodhojnë bromoform.

A janë alternativë më e mirë yndyrnat bimore? 

Mbase nuk është e domosdoshme që ato të jenë patjetër alga. Edhe yndyrnat bimore mund ta ulin sasinë e metanit që kafshët nxjerrin me gazrat e tretjes së ushimit. Tek këto yndyrna bimore bëjnë pjesë vaji i lirit, vaji i kolzës dhe i carangthit.

Por potenciali i vajrave është i kufizuar. Nëse dieta është shumë e yndyrshme, atëherë “marrja e ushimit reduktohet” tek kafshët, thotë Alireza Bayat, drejtues kërkimesh në institutin finlandez për studimin e burimeve natyrore. Kjo çon në problem, sepse lopët janë ripërtypëse. Ato janë të ndryshme nga derrat dhe nuk e përballojnë dot sasinë e madhe të yndyrnave.

Bildergalerie Tiere bei Hitze

“Me shtimin e vajrave ushqim mendohet të ulet me 10 përqind sasia e metanit të prodhuar, pa influencuar mbi efektivitetin e kafshës,” shton Bayat. Kurse Pesonen, nga shoqata mbareuropiane e bujqëve vlerëson kundrejt Deutsche Welles, se duke futur bimët me përmbajtje yndyrore në ushqimin e kafshëve në Europë, sasia e metanit do të zvogëlohet në të ardhmen në një nivel që do t’i përgjigjej sasisë së njëjtë të 140,000 tonëve të dioksidit të karbonit. Tingëllon sikur kjo sasi të jetë shumë e madhe. Por në fakt nuk është: emisionet e nxjerra nga prodhimi i mishit në BE do të uleshin çdo vit vetëm me 0,04 përqind.

Me medikamente kundër metanit?  

Studiuesit kanë zbuluar po ashtu se antibiotikët që përdoren për rritjen e prodhimit të mishit ose për parandalimin e sëmundjeve, ulin po ashtu sasinë e metanit të prodhuar. Megjithatë autoritetet australiane përshembull paralajmërojnë për rreziqet e përdorimit të medikameneve në uljen e sasisë së metanit. “Ne kemi mjaft probleme me rezistentët kundër antibiotikëve,” thotë edhe Hansen. “Kjo zgjidhje nuk është e mirë.”

Atëherë bërxolla nuk mund të mos e dëmtojë klimën? 

Kështu që nuk do të jetë e afërt dita kur ne të vemë në zgarë një bërxollë që të mos jetë e dëmshme për klimën. Po të jetë për studiuesin Hayek, ne nuk duhet po ashtu të mendojmë se pasojat e qofteve të hamburgeve mbi klimën do të zvogëlohen shpejt.

Prioriteti kryesor duhet të jetë që të bëjmë sa më shpejt që të jetë e mundur ato gjëra që e dimë se ulin prodhimin e dioksidit të karbonit, thotë ai: qytetet tona duhet ta organizojnë sistemin e transportit dhe sektorin e energjisë që të jetë i qëndrueshëm dhe të mos dëmtojë ambientin, ne duhet të hedhim poshtë sa më pak ushqime, duhet të hamë sa më pak mish dhe të prodhojmë sa më pak mish. Sepse kontributi që japin në ngrohjen e klimës konsumi i mishit dhe i qumështit nuk do të ndryshojë shumë nga përdorimi i algave dhe vajit të kolzës./DW