Nuk jam kalimtare, por fitimtare

Mimoza Kusari-Lila thotë se nuk është kalimtare në Gjakovë, siç po thotë rivali i saj Pal Lekaj. Ajo thotë se është fitimtare. Kjo, sipas saj, do të vërtetohet më 3 nëntor kur do të nisë ndryshimi për Gjakovën.

Lajme

18/10/2013 11:18

Kandidatja e AKR’së për Kryetare të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, po vazhdon të jetë e bindur në fitoren e saj.

Në një takim me banorët e Bashkësisë së Tretë Lokale, ajo u shpreh se ndryshimi për Gjakovën do të nisë me 3 nëntor. Një ditë më vonë, ajo tha se do të nisë të punojë me përkushtim të madh për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Gjakovës

“Nga tubimi në tubim ne po rritemi dhe çdo ditë e më shumë po e vërej se qytetarët e Komunës së Gjakovës me padurim po e presin datën 3 nëntor, ditën kur do t’i thonë po ndryshimit të madh për Gjakovën”.

“Disa gazetarë po më pyesin se çfarë mendoj për deklarimet e ulëta të Kryetarit aktual se do mbesë kalimtare e rastit. As unë e as mijëra të rinj që kemi kërkuar mundësinë e pagjetur në Gjakovë në ndonjë vend tjetër nuk jemi kalimtarë, por lidhja jonë me Gjakovën është shumë herë me e madhe se sa deklaratat sipërfaqësore të tij”.

“Në Komunën e Gjakovës së pari kompanitë nuk janë të sigurta, ngase ato çdo ditë e më shumë shantazhohen dhe përballen me presione dhe haraç”.

Mimoza Kusari-Lila tha gjatë këtij tubimi se viti 2014 për Gjakovën do të jetë vit i aktiviteteve dhe angazhimeve të shumta për zhvillimin ekonomik të saj.

“Do të jetë vit i zhvillimit dhe promovimit në Zonën e lirë ekonomike dhe Aeroportin e Gjakovës”.

“Ne do të krijojmë fonde për zhvillimin e bizneseve të reja, sistemin e granteve për bizneset prodhuese, eliminimin e lejeve dhe licencave për bizneset e vogla dhe të mesme”.

“Do fillojmë menjëherë me mbështetje institucionale për shoqatat e dala nga lufta, shoqatat e pensionistëve, shoqatat e personave me aftësi të kufizuara”.

“Do të angazhohem që të depolitizojmë arsimin, institucionet shëndetësore, kulturore dhe sportive, si dhe pjesë e programit tonë është edhe promovimi i turizmit kulturor, historik dhe malor”.