Edhe i mirë, edhe i keq

Raporti i Progresit 2013 ka nxitur reagime të ndryshme në Kosovë. Qeveria përmend pjesët e mira të këtij raporti, ku vlerësohet progresi dhe të arriturat. Opozita, ndërkaq, vë në pah ngecjet dhe nënvizon pjesët ku flitet për korrupsionin e ndërhyrjet politike.

Lajme

16/10/2013 20:25

Raporti i Progresit 2013 po shihet me sy të ndryshëm në Kosovë. Pozita, këtë raport të Komisionit Europian  po e vlerëson real dhe pozitiv për Kosovën, në të cilin, sipas saj, janë përfshirë të arriturat që janë shënuar gjatë kësaj periudhe. Opozita, në anën tjetër, po e konsideron atë si notë proteste ndaj ngecjeve, që sipas saj, kanë ndodhur në shumë fusha.

Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku, thotë se Raporti i Progresit reflekton të arriturat e institucioneve të Kosovës.

“Siç na është konfirmuar, negociatat për MSA zyrtarisht do të fillojnë me 28 tetor me takimin e parë në mes të dy kryenegociatorëve ku edhe do pranojmë draftin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”.

“Progresi që është identifikuar në kuadër të përgatitjeve për fillimin e këtij procesi, paraqet një nga arritjet më të vlefshme të vendit tonë në kuadër të procesit integrues për në BE”.

“Raporti i Progresit reflekton të arriturat tona si institucione, por po ashtu vë në pah edhe sfidat që na presin në vazhdim, dhe të cilat do jenë në fokusin tonë permanent”.

“Është e qartë se KE-ja është e shqetësuar edhe me ndërhyrjen e politikës në gjyqësi, dhe këtu i referohet sidomos debateve që janë zhvilluar në Kuvendin e Kosovës lidhur me disa raste të veçanta që po procedohen në gjykata”.

“Ne e kuptojmë atë shqetësim dhe do të mundohemi maksimalisht që të ruajmë integritetin e institucioneve tona të pavarura”.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj me të gjeturat e Raportit të Progresit për Kosovën për vitin 2013, i cili, sipas kësaj parite,  paraqet ngecje në shumë fusha, si dhe situatën reale që po mbretëron në Kosovë.

Kryesuesja e Grupit të Ekspretëve për Integrime Evropiane, deputetja Vjosa Osmani thotë se Raporti qysh në fillim evidenton mospërmbushjen e kritereve bazë për anëtarësim në BE, ato të Kopenhagës.

“Nëse krahasojmë gjetjet e Raportit te këtij viti me ato të vitit të kaluar, vërejmë se Qeveria në shumicën e fushave nuk ka adresuar çështjet e ngritura në raportin e vitit 2012”.

“Gjetjet e Raportit të Progresit vazhdojnë të mbeten të paadresuara nga viti në vit. Korrupsioni, krimi i organizuar, trafikimi me qenie njerëzore, ndikimi politik në institucione të pavarura, ndërhyrja politike në gjyqësor, mungesa e reformës së administratës publike, ekonomia jokonkurruese, mungesa e lirisë së medieve etj., mbesin shqetësimet kryesore te Raportit të këtij viti.”

“Kosova sipas këtij Raporti vazhdon të identifikohet si “vend i trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar”. Raporti vëren një sërë ngecjesh në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, trafikimit të qenieve njerëzore dhe pastrimit të parave. Kosova në raport kualifikohet si vend i “origjinës dhe transitit të viktimave të trafikimit”.

“Raporti gjithashtu adreson shqetësime sa i përket përgjimeve të telefonatave dhe thekson rëndësinë e dallimit mes përgjimit për nevoja të hetimeve dhe atyre për nevoja të inteligjencës”.

“Në Raport përmendet edhe skandali i pasaportave biometrike, respektivisht humbja e 1.4 milionë eurove nga buxheti i Kosovës, si dhe theksohet rëndësia e rolit të Policisë së Kosovës që të jepen rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe trafikimit të qenieve njerëzore duke theksuar se “krimi i organizuar mbetet një shqetësim serioz në Kosovë”.

“Komisioni thekson se Kosova duhet të ofrojë dëshmi konkrete të rezultateve në luftimin e krimit të organizuar, veçanërisht në parandalimin dhe luftimin  e trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimin e narkotikëve dhe në kontrabandimin e armëve”.