Premtimi i madh për Bajram të Vogël

Kryeministri Hashim Thaçi premtoi 150 milionë euro investime në Mitrovicës si dhe rritje të pagave pothuajse për të gjithë punëtorët, duke përfshirë minatorët, arsimin, shëndetësinë.

Lajme

14/10/2013 20:07

Banorët e Mitrovicës për Bajram të Vogël, kanë marrë një premtim të madh, nga Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në një tubim zgjedhor të PDK’së në këtë qytet, Thaçi ka premtuar 150 milionë euro investime për qytetin e Mitrovicës gjatë katër viteve të ardhshme, si dhe rritje të pagave pothuajse për të gjithë punëtorët, duke përfshirë minatorët, arsimin, shëndetësinë etj.

“Nuk do të ketë punëtorë në Kosovë të cilëve nuk do t’u rritet paga gjatë vitit 2014” .

Pasi ka përmendur veç e veç komunat ku, sipas tij, do të fitojë PDK, Thaçi tha se fitorja më spektakolare do të ndodhë pikërisht në Mitrovicë.

“Të gjithë ju së bashku do të shënoni një fitore të përmasave historike dhe spektakolare për PDK’në, fitore për qytetin e Mitrovicës dhe për Kryetarin Avni Kastrati” .

Bashkë me Thaçin nëë këtë tubim ka qenë i pranishëm edhe numri dy i PDK’së, Kadri Veseli, për të cilin kreu i Qeverisë ka pasur vlerësime të larta.

“Liria dhe pavarësia e Kosovës identifikohen me kontributin e jashtëzakonshëm të nënkryetarit, Kadri Veseli, prandaj jam i sigurt se kryetari, Avni Kastrati, ministri Bajram Rexhepi, Zëvendëskryetari, Kadri Veseli dhe të gjithë personalitetet e Mitrovicës, do ta shndërroni qytetin e Mitrovicës në një bastion të pathyeshëm të PDK’së’.

“Pa kontributin e jashtëzakonshëm të Kadri Veselit, por edhe punës së shkëlqyeshme të kryetarit Kastrati, nuk do të ndodhnin kurrë investimet milionëshe në qytetin e Mitrovicës”.

Thaçi përmendi investimet e Qeverisë në qytetin e Mitrovicës, të cilat sipas tij, kanë qenë në vlerë prej më shumë se 90 milionë eurosh.

“Kurrë Mitrovica nuk ka qenë më e bashkuar dhe më e sigurt sesa këto 14 vite” .

Kandidati i PDK’së për Kryetar Komune, Avni Kastrati, tha se gjatë mandatit të tij  janë realizuar gjithsej 722 projekte të ndryshme si në infrastrukturë, arsim, shëndetësi etj.

Zëvendëskryetari i PDK’së, Kadri Veseli, ka potencuar problemet në pjesën veriore edhe pas 14 viteve të përfundimit të luftës.

“Megjithatë, vetëm një popull i qëndrueshëm siç janë mitrovicasit, edhe pas gjithë këtyre problemeve ka arritur ta ruaj substancën nacionale”.