Një muaj paraburgim për përgjegjësin e pompës së betonit, dyshohet se pakujdesia e tij i kushtoi jetën 26-vjeçarit në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit me inicialet A.G., i dyshuar për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, rast që ndërlidhet me vdekjen e një punëtori 26-vjeçar në një punishte në Prizren. Sipas njoftimit të…

Lajme

24/06/2026 15:06

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit me inicialet A.G., i dyshuar për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, rast që ndërlidhet me vdekjen e një punëtori 26-vjeçar në një punishte në Prizren.

Sipas njoftimit të gjykatës, paraburgimi do të zgjasë deri më 22 korrik 2026, ndërsa i pandehuri dyshohet se, si person përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, nga pakujdesia nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë, duke rrezikuar jetën e punëtorëve, shkruan lajmi.net.

Gjykata ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur më 22 qershor rreth orës 08:15 në lagjen Arbana të Prizrenit, në një objekt banesor në ndërtim.

Sipas dyshimeve të deritanishme, A.G., në cilësinë e shoferit dhe përgjegjësit të pompës së betonit, nuk e kishte vendosur në mënyrë të sigurt pajisjen. Gjatë procesit të zbrazjes së betonit nga mikseri, pompa ka rrëshqitur, ndërsa si pasojë është shkëputur një gyp i cili e ka goditur në kokë viktimën V.M., duke i shkaktuar lëndime fatale.

Rasti lidhet me aksidentin tragjik të ndodhur të hënën në lagjen Arbana të Prizrenit, ku humbi jetën një punëtor 26-vjeçar nga Komuna e Malishevës.

Pas incidentit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitet policore dhe ekipet emergjente, ndërsa vdekja e të riut ishte konfirmuar nga autoritetet.

Gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën po hetohet dhe se paraburgimi është i nevojshëm për zhvillimin e papenguar të procedurës penale.

“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase…”, thuhet mes tjerash në komunikatë,

Në arsyetimin e vendimit thuhet se hetimet janë ende në fazën fillestare, prandaj duhet të dëgjohen dëshmitarët, të sigurohen prova shtesë dhe të sqarohen të gjitha rrethanat e rastit.

Megjithatë, gjykata thekson se këto janë vetëm dyshime të bazuara në këtë fazë të procedurës dhe se përgjegjësia penale e të pandehurit do të vlerësohet gjatë zhvillimit të mëtejmë të procesit gjyqësor. /Lajmi.net/