120 milionë, urime dhe suksese
Hashim Thaçi i premton Gjilanit investime deri në 120 milionë euro për katër vjetët e ardhshme. Përmendi edhe Universitet për Preshevën. E Qemajl Mustafa thotë se gjilanasit tani janë plot shpresë për të ardhmen.
Lajme
Dje në Gjilan, sot gjithashtu.
Hashim Thaçi është bërë këtyre ditëve mysafiri më i shpeshtë i kësaj Komune.
Mikpritje e ngrohtë apo shqetësim për votën, këtë mund ta dijë vetëm ai që e kërkon atë në zgjedhjet e 3 nëntorit, Kandidati i PDK’së për Kryetar të Komunës, Qemajl Mustafa.
Të premten në mbrëmje, PDK mblodhi simpatizantët e vet në sallën e sporteve të qytetit për t’ua prezantuar ofertën e vet të kandidatëve.
Në sallën ku u quajt “sintezë e të kaluarës, të tashmes dhe së ardhmes së Kosovës”, Kryeministri Thaçi e hapi kuletën qeveritare me premtimin për investime në vlerë prej 120 milionë euro për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
“PDK edhe kësaj radhe ka prezantuar kandidatët më të mirë nëpër komuna të Kosovës”, tha Thaçi në këtë tubim.
Një pjesë të konsiderueshme të fjalimit të tij, Thaçi ia kushtoi Qemajl Mustafës.
“U keni shërbyer të gjithëve në Gjilan dhe jam jashtëzakonisht i inkurajuar me mbështetjen e të gjitha shtresave të Gjilanit, sidomos të rinisë dhe studentëve”.
“Njerëzit ju duan, ju besojnë, ju votojnë. Ju do të fitoni dhe do ta keni përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës”.
“Urime dhe suksese”, ka thënë ai.
Sipas Thaçit, Gjilani tani është bërë qytet i zhvilluar dhe universitar, ndërsa premtoi mbështetje nga Qeveria të të gjitha projekteve që Mustafa do t’ia prezantojë gjatë mandatit të ardhshëm eventual.
“E gjithë kjo trevë, duke përfshirë Gjilanin, Preshevën, Bujanocin, do të jetë zonë e lirë ekonomike. Do ta hapim një Universitet edhe në Preshevë dhe këtë ua kam premtuar edhe liderëve të atjshëm”.
Thaçi gjithashtu ka premtuar rritje të rrogave për të gjitha kategoritë e nëpunësve.
Ndërsa Qemajl Mustafa, që kërkon një mandat të tretë në krye të Gjilanit, tha se Komuna e Gjilanit po ecën drejt shndërrimit në një “komunë të mirëfilltë europiane”
“Para gjashtë vjetësh, Komunën e gjetëm të katandisur nga një strukturë anarkike, e gjetëm në lloç e në terr. Iu veshëm punës dhe si front i madh punuam edhe nga 12 orë në ditë, vetëm e vetëm që banorëve të Komunës t’ua ngjallim shpresën në shtetin e tyre të ri”.
“Njeriu ynë është sot me plot shpresë dhe besim për ta ndërtuar të ardhmen e tij”.
“Jeta në fshat tashmë është e lehtë dhe me mundësi të mira zhvillimi prandaj familjet tona nuk e shpërngulëm nga fshati në qytet”.
“Fitorja e madhe e Gjilanit ka ndodhur dje, po ndodh sot, do të ndodhë më 3 nëntor. Të festojmë bashkë të gjithë në mbrëmjen e bukur të 3 nëntorit, edhe ata që nuk do të votojnë”.