Nga Lugina, pa taksa në Kosovë
Kryeministri Thaçi takoi përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës. Tha se Qeveria e Kosovës do ta mbështesë lidershipin shqiptar të Luginës së Preshevës për afirmimin e të drejtave kombëtare. Nga 21 tetori, pohoi se do të hiqen edhe taksat.
Lajme
Në një takim me përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës, Kryeministri Hashim Thaçi tha se Qeveria e Kosovës që nga 21 tetori do të heqë taksat për veturat që hyjnë në Kosovë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.
Thaçi tha se ai dhe Qeveria e Kosovës mbështesin lidershipin shqiptar të Luginës dhe premtoi se do punojë për institucionalizimin e të drejtave të shqiptarëve.
“Kam vendosur që për t’ua lehtësuar qarkullimin e qytetarëve të Preshevës në drejtim të Kosovës të heqim krejtësisht taksat për veturat për lëvizje të lirë, në mënyrë që të krijojmë kushte dhe rrethana shumë më të lehta për lëvizje”.
“Në të gjitha takimet me bashkësinë ndërkombëtare, por edhe në takimet e fundit që i kam pasur me Zëvendëskryeministrin e Serbisë dhe shpresoj që në një të ardhme shumë të afërt edhe në nivel të Kryeministrit të Serbisë, për të shqyrtuar të gjitha mundësitë për institucionalizimin e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.”
“Unë gjithmonë do ta respektoj vullnetin e qytetarit të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për të ardhmen e tyre demokratike, për të drejtat e tyre kombëtare.”
Hashim Thaçi konfirmoi se gjithashtu në këtë takim kanë diskutuar për hapjen e Universitetit në Bujanovc.
Ndërkaq i pyetur për vendimin për të lejuar zyrtarët serbë që të vijnë në Kosovë në kohën e fushatës, Kryeministri Thaçi deklaroi se vizitat duhet të jenë të karakterit fetar.
“Nëse ndodh ndonjë kërkesë apo ndonjë aprovim për vizitat e ndonjë lideri nga Serbia, atëhere mund të kenë vetëm karakter të ndonjë vizite të ndonjë manastiri në Kosovë, por jo të karakterit elektoral.”
“Nëse do të ketë ndonjë kërkesë specifike nga liderët e Serbisë për të vizituar Republikën e Kosovës, kjo kërkesë e tyre do të shqyrtohet dhe studiohet prej Qeverisë së Kosovës dhe do të marrim vendime se a do të lejohet për të vizituar Kosovën apo jo.Vendimi përfundimtar është i Qeverisë së Kosovës, është vendim autonom dhe i askujt tjetër, i asnjë mekanizmi ndërkombëtar”.
Ndërkaq Kryetari i Kuvendit të Bujanocit, Jonuz Musliu u shpreh se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë para një sfide sepse nesër kanë një takim me Qeverinë e Serbisë, për të avokuar të drejtat e tyre.
“Jemi në një sfidë, qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Nesër kemi një sfidë tjetër, takimin mes Qeverisë së Serbisë. Morëm një mbështetje nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, nga shteti i Kosovës, se qytetarët e Luginës së Preshevës nuk janë të vetëm. Natyrisht që jemi bashkë me shtetin e Kosovës.”
“Do të kemi një mbështetje nga Qeveria dhe nesër do të jemi unikë, sidomos në zërin e lidershipit shqiptar sepse kërkesat që nga viti 2001 e këndej nuk janë implementuar sidomos pas Marrëveshjes së Konçulit.”
“Mendoj se koha momenti është dhe koha e gjithë shqiptarëve që të flasin shqiptarët me një zë dhe ti zgjidhin problemet bashkërisht”.