E kryejmë me të parën

Isa Mustafa po beson se nuk do të ketë balotazh në Prishtinë. Thotë se fitorja e tij është e sigurt, qysh në raundin e parë.

Lajme

06/10/2013 15:03

Isa Mustafa, të dielën, vizitoi Hajvalinë, ku deklaroi se fitorja e tij është e sigurt dhe atë qysh në raundin e parë të votimeve.

Ai u bëri thirrje simpatizantëve të LDK’së që të dalin në numër sa më të madh në zgjedhje, më 3 nëntor, për të vulosur fitoren e kësaj partie në shumicën e komunave të Kosovës.

“Të gjithë ne pajtohemi se nëse duam ta respektojmë figurën e Ibrahim Rugovës, duhet ta rrisim veprën e Ibrahim Rugovës. E vepra e tij rritet me fitoren e LDK’së në shumicën e komunave të Kosovës, sepse kështu e madhërojmë veprën e tij”.

“Motoja jonë ‘Sot komuna, nesër Kosova’ do të thotë se ne do t’i fitojmë së pari komunat dhe më pas do ta fitojmë shumicën në tërë Kosovën”.

“Kësaj radhe, LDK është e interesuar të fitojë bindshëm, pasi fitorja jonë duhet të jetë shprehje e forcës sonë”.

“Në këtë mënyrë ne synojmë ta qeverisim Kosovën, me ndershmëri, për zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe kujdesin për familjet në nevojë, të kujdesemi për luftëtarët tanë, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët, të kujdesemi për banorët e fshatrave të thella, të cilëve do t’u ofrojmë zhvillim dhe infrastrukturë”.

Isa Mustafa ua kujtoi banorëve të Hajvalisë premtimet që kanë marrë në të kaluarën nga partitë tjera.

“Të tjerët që kanë premtuar këndej, nuk kanë punuar, prandaj ju kërkoj të vlerësoni se kush ka punuar dhe andej ta përcaktoni votën tuaj”.

“Prishtinën do ta fitoj që në raundin e parë”.

“Dy herë në Prishtinë nuk dalim. Të jeni të sigurt se e kryejmë me të parën atë”.