S’ka tolerancë ndaj Prishtinës
Ivica Dacic është i gatshëm t’u japë fund negociatave në Bruksel nëse do të mbetet në fuqi ndalesa që ai të hyjë në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore. Thotë se Prishtina po i frikësohet implementimit të marrëveshjes së arritur.
Lajme
Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë sot se është i gatshëm t’u japë fund negociatave me Prishtinën në Bruksel nëse do të mbetet në fuqi ndalesa që ai të hyjë në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore, e vendosur këtë javë nga Qeveria e Kosovës.
Ai është shprehur se Prishtina po i frikësohet marrëveshjes së Brukselit.
“Nuk do t’i tolerojmë kërcënimet e Prishtinës. Aleksander Vucic dhe unë kemi rrezikuar karrierat tona, madje edhe jetët tona, sepse kemi marrë kërcënime nga ekstremistë të ndryshëm. Ne ishim të bindur se kjo është e mirë për Serbinë dhe unë iniciova atë marrëveshje. Nëse unë nuk mund të shkoj në Kosovë, gjithçka do të bëhet e pakuptimtë”, ka thënë Dacic në një intervistë për të përditshmen beogradase “Nase Novine”.
Ai ka thënë se nuk është zmbrapsur për shkak të ndalesës, duke shtuar se ishte evidente që Prishtina i frikësohet implementimit të marrëveshjes së arritur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ata filluan obstruksionet kur u arrit marrëveshja për zgjedhjet. Së pari, rreth fletëvotimeve në të cilët ata donin ta vendosnin logon e Kosovës, pastaj rreth një vendi për serbët në KQZ. Pastaj, u bënë problematike listat zgjedhore dhe në fund ky vendim skandaloz.”
“Unë kam kërkuar një shpjegim nga Brukseli”, ka thënë Dacic duke shtuar se kjo ka nxitur një reagim dhe se Përfaqësuesja e Lartë Catherine Ashton ftoi Dacicin dhe Thaçin në një takim në Bruksel, për të hënën.
Dacic ka thënë se ka kërkuar të takohet me Ashtonin para se ta takojë Thaçin, për ta informuar atë rreth qëndrimeve “nga të cilat Serbia nuk mund të largohet”.