12 mijë votues serbë më shumë
Pas më shumë se 6 orëve të bisedimeve në Bruksel, Marko Gjuriq ka thënë se Beogradi ka arritur t’i regjistrojë 12 mijë votues më shumë në listën e votuesve për zgjedhjet e 3 nëntorit në Kosovë.
Lajme
Beogradi pretendon se ka arritur t’i fusë 12 mijë serbë të tjerë në listën e votuesve gjatë takimit të sotëm të grupeve punuese për zgjedhjet që u mbajt në Bruksel.
Tanjug citon Marko Gjuriqin, Këshilltar i Presidentit të Serbisë, të ketë thënë se Beogradi kërkon të sigurohet se qytetarët serbë nga Kosova kanë kushte normale për ta hedhur votën e tyre në zgjedhjet e ardhshme lokale, edhe përkundër, siç është shprehur, përpjekjeve të Prishtinës për ta zvogëluar numrin e tyre.
“Sot kemi arritur t’i regjistrojmë rreth 12 mijë aplikacione të kontestuara në listën e votuesve”, ka thënë Gjuriq, pas më shumë se 6 orëve të bisedimeve në Bruksel.
Komunikata e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës nga ky takim nuk e ka konfirmuar një marrëveshje të tillë.