Ilir Meta premton projekte bashkëpunimi me Gjakovën dhe Kosovën
Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka pritur kryetarin e Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta, me ç’rast është rënë dakord për një bashkëpunim më të madh dhe më të frytshëm në të ardhmen.
Lajme
Në këtë takim është biseduar për projektet e bashkëpunim ndërmjet Gjakovës, por edhe të komunave të Kosovës perëndimore në përgjithësi, me komunat dhe bashkitë e zonës verilindore të Shqipërisë, në suaza të bashkëpunimit ndërkufitar.
Theks të veçantë nga ana e kryetares s Gjakovës ka qenë bashkëpunimi i mundshëm, i lirshëm dhe pa barriera, si një bashkëpunim i frytshëm, ku mund të arrihen objektivat shumëvjeçare të pritura.
Kusari-Lila ka vënë në pah edhe Projektin e Alpeve, si dhe bashkëpunimin e mundshëm në lëmin e bujqësisë, turizmit dhe të shfrytëzimit të resurseve tjera në zhvillimin ekonomik.
“Me z. Meta biseduam në hollësi për mundësitë e bashkëpunimit në veçanti, mundësitë e bashkëpunimit ekonomik në fushën e turizmit, por gjithashtu edhe për aktivitetet konkrete të ditëve në vijim, duke filluar nga takimi i përbashkët që do ta kemi me kryetarët e komunave të Kosovës Perëndimore, për projektin e Alpeve Shqiptare, për mundësitë e bashkëpunimit në fushën ekonomike, një vizitë të organizuar nga Republika e Shqipërisë në komunën e Gjakovës”, ka thënë Kusari-Lila
Kryeparlamentari shqiptar, Meta ka premtuar se do të jetësohen shumë projekte bashkëpunimi me Gjakovën. Ai ka thënë se me krijimin e zonës së lirë ekonomike në Gjakovë shtohet edhe interesimi i investitorëve vendorë e të huaj.
“Administrimi i komunës së Gjakovës do të jetë një shembull shumë i mirë jo vetëm për Kosovë, por edhe kudo në gjithë hapësirat tona dhe ne do të jemi këtu gjithnjë më shpesh e jo thjesht për takime kurtuazie, jo por për të shkëmbyer mendime, por për të çuar përpara projekte konkrete, siç u përmend këtu, projekti Alpet, që tashmë është konfiguruar si një projekt mjaft konkret dhe me impakt për zhvillimin e turizmit. Njëkohësisht, ne kemi rënë dakord që të themelojmë bashkëpunimin edhe në fushën e bujqësisë dhe shumë shpejt ministri shqiptar i Bujqësisë do të jetë në Gjakovë”, ka thënë Meta.
(KosovaPress)