Presidentja kërkon njohjet në Amerikën Latine
Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në hapjen zyrtare të punimeve të Forumit Ekonomik Botëror për Amerikën Latine, ka takuar përfaqësues të vendeve të ndryshme latino-amerikane, prej të cilëve ka kërkuar njohjen e Kosovës.
Lajme
Presidentja Jahjaga përcolli edhe panelin me temën “’Hapja e rrugëve për progresin e përbashkët’,’ ku pjesëmarrës ishin presidenti i Panamasë, Rikardo Martinelli; presidentja e Kostarikës, Laura Chinchilla Miranda; presidenti i Guatemalës, Otto Pérez Molina dhe kryeministrja e Trinidad dhe Tobago, Kamla Persad-Bissessar.
Presidentja Jahjaga në bisedë me presidentin e Guatemalës, Pérez Molina, ka theksuar se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, i pranuar ndërkombëtarisht, me synime të qarta për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB.
Ajo tha se vazhdimi i konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës është i rëndësishëm dhe njohja nga Guatemala do të ndihmonte jo vetëm Kosovën, por edhe të gjithë rajonin e Ballkanit.
Nga ana e tij presidenti i Guatemalës, Pérez Molina ka theksuar se vendi i tij po përcjell me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe se do të shqyrtojë çështjen e njohjes së saj.
Presidentja Jahjaga gjatë ditës ka takuar edhe ministrin e mjedisit të Perusë, Pulgar-Vidal Otalora, me të cilin bisedoi për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, posaçërisht në fushën e ekonomisë dhe të investimeve.