Partitë po bëjnë fushatë me ligjin për veteranët e UÇK-së
Miratimi i ligjit për veteranët e luftës duhet të jetë gjithëpërfshirës, thotë Rrustem Berisha. Sipas tij, me këtë ligj po bëjnë reklamë shumica e partive në prag të zgjedhje parlamentare, ndërsa sugjeron të mos neglizhojnë statusin e ish-luftëtarëve.
Lajme
Ligjin për veteranët e UÇK-së po e bëjnë reklamë partitë politike pikërisht në prag të zgjedhjeve parlamentare të paralajmëruara.
Kështu mendon Rrustem Berisha, ish- Komandanti i UÇK-së, Rrustem Berisha, i cili duke folur për dilemat rreth ligjit për veteranët e UÇK-së në InfoMagazinë të KlanKosova, ka thënë se ky ligj duhet të jetë gjithëpërfshirës.
“Mendoj se shumica janë duke i bërë reklamë vetës për Zgjedhje Parlamentare. U sugjeroj deputetëve dhe partive politike, se kjo është diçka që i takon gjithë shqiptarëve. Si e tillë, nuk duhet për momentin të merren për shkaqe të bërjes fushatë. Ky proces nuk duhet të jetë i bllokuar dhe duhet sa më parë të miratohet”.
Berisha ka thënë se sa i përket përzgjedhjes së veteranëve do të merret komisioni me të, ndërsa shpreson në miratimin e këtij ligji në afat të shkurtë duke marrë parasysh, siç thotë ai, qëndrimin e Kryeministrit dhe partive tjera.
“Ligji duhet të jetë gjithëpërfshirës, kjo është dëshmuar duke parë që askush s’i ka mohuar të drejtat të aplikojnë për kategori të caktuar. Komisioni duhet të jetë ai që duhet t’i shqyrtojë”.
“Unë shpresoj që do të zgjidhet ky problem, duke e ditur qëndrimin e Kryeministrit, por edhe partive tjera. Pothuajse çdo parti i ka edhe luftëtarët e vet brenda dhe, nuk do t’u hynë në hak atyre që luftuan”, ka thënë ai në KlanKosova.