Kosovari nuk pendohet që vrau ushtarin turk

Shtetasi i Kosovës i cili qe përfshirë në sulmin e 20 marsit në Turqi, ku mbetën të vdekur 3 persona, nuk ka shfaqur pendesë për veprën e bërë.

Lajme

25/03/2014 18:35

Shtetasi i Kosovës i arrestuar për sulmin ndaj xhandarmërisë turke në krahinën qendrore të Anatolias, Nigde, thuhet se nuk ka shfaqur asnjë pendim për veprimin e tij, teksa po dëshmonte para gjykatës , raporton KTV.

“Unë bëra një vepër të mirë duke vrarë ushtarin e xhandarmërisë turke. Unë nuk i jap llogari askujt përveç allahut. Ju të gjithë jeni të pa fe”, citohet të ketë thënë ai para gjykatës.

Siç shkruan gazetar turke “Hurriyet”, kosovari ka edhe nënshtetësi zvicerane. Sipas këtij mediumi sulmuesi e konsideronte Turqinë si shtet armik për shkak së është anëtare e NATO-së.

Ndërkohë, vozitësi i makinës në të cilën u arrestua shtetasi i Kosovës me iniciale Ç.R, ka refuzuar të ketë qenë pjesë e sulmit dhe se është anëtarë i ndonjë organizate.

Ai ka thënë  se ishte duke shoqëruar Ç.R., të cilin nuk e njihte, gjatë kthimit të tij nga Kosova.

Në sulmin e 20 marsit ku ishte i përfshirë shtetasi i Kosovës, kishin mbetur të vdekur tre persona dhe pesë të tjerë ishin plagosur. Të gjithë sulmuesit u arrestuan nga policia brenda orës, raporton KTV.