Rexhep Selimi reflekton për intervenimin e NATO-s nga këndi i UÇK-së

Rexhep Selimi thotë se sulmet ajrore të NATO-s e kanë hapësirën e vet në historinë e popullit shqiptar. Nuk i beson shumë vendimit për formimin e FAK. Nëse ndodh një gjë e tillë thotë se testi i parë për ta do të jetë operimi i kësaj force edhe në Veri.

Lajme

24/03/2014 20:45

Bombardimet e NATO-së ndaj caqeve ushtarake policore serbe në Kosovë më 24 mars 1999, bindën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës se vërtet bota e ka përnjëmend.

Kështu rrëfen ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, në kohën kur Kosova shënon 15 vjetorin, kur Aleanca Veriatlantike, NATO, filloi fushatën 78 ditore të bombardimeve kundër forcave serbe duke i dhënë fund luftës në Kosovë.

Në një intervistë për lajmi.net, Selimi tani deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se mposhtja e Serbisë u kurorëzua me luftën e drejtë të UÇK-së dhe ndihmën e aleatëve të saj.

Ai flet edhe për vendimin e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që e FSK të shndërrohet në Forca të Armatosura. Ka drojën se çështje mund të vijë në Parlament bashkë me ulëset e rezervuara.

Testi i parë për Ushtrinë e Kosovës sipas Selimit, do të jetë nëse kjo armatë do të ketë shtrirje përtej lumit Ibër.

Ai konsideron se nëse nuk ka një repart të tillë edhe në Veri, atëherë ky është një indikacion se Kosova po shkon drejtë ndarjes.

 

Lajmi.net: Të hënën shënohet 15 vjetori i ndërhyrjes ajrore të NATO-së ndaj caqeve të ushtrisë serbe. Si e kujtoni ju këtë moment?

Rexhep Selimi: 24 marsi i vitit 1999 e ka hapësirën e vet në historinë e popullit shqiptar për liri, për shkak se pjesë e kësaj historie u bën vendet liridashëse për kombin shqiptar në Kosovë. Fillimi i bombardimeve të NATO-s në Kosovë shënon një faqe të re në historinë e bashkëjetesës së kombeve tona, të cilat e deshën lirinë dhe që e paguan atë përballë popujve dhe qeverive tjera, të cilat në këtë rast i përfaqësonte Serbia, por jo vetëm.

Lajmi.net: Si e ka përjetuar këtë UÇK, a e keni pasur ndonjë paralajmërim për caqet e sulmeve dhe a ka qenë ndihmesë për ju?

Rexhep Selimi: Ne edhe atëherë si ushtarë edhe tani jemi të prirë të besojmë në bashkëpunim me botën demokratike, ndonëse përvoja  e së kaluarës nuk na bënte shumë optimist, por na bënte të besojmë realisht që një ditë do ta reagojë. Me gjithë paralajmërimet ne është dashur të dalim në maje te kodrave të shohim bombardimet e NATO-s që të bindemi që vërtet bota tani e ka përnjëmend.

Lajmi.net: A mund të na shpjegoni reagimin e forcave serbe pas fillimit të kësaj fushate ajrore të NATO-s?

Rexhep Selimi:Siç thotë një fjalë e urtë popullore mos “qofsha në lëkurën e tyre atë natë”. Forcat serbe ndoshta kanë besuar më shumë në forcën e vet të proklamuar, kanë besuar ndoshta në atë që janë të pathyeshëm, por prej pushkës së Adem Jasharit, pathyeshmëria e tyre është mposhtur. Është mirë që kjo mposhtje është kurorëzuar bashkë me UÇK-në dhe bashkë me forcat e NATO-s që jo pse është arritur gjithçka në ditën e çlirimit më 12 qershor, por më 12 qershor është hapur një portë e madhe e shqiptarëve në Kosovë që edhe këta të jenë të barabartë për të cilën mund të them se nuk e kanë arritur akoma.

Lajmi.net: Rusët po e krahasojnë fushatën e NATO-s gjatë vitit 1999 në Kosovë, me ndërhyrjen në Krime. Si e vlerësoni këtë?

Rexhep Selimi :Rusët edhe atëherë kur nuk kishin çka të bënin, shqyenin nga një dollarë në Moskë në shenjë proteste, rusët gjatë gjithë periudhës prej atëherë deri më tani janë kundërshtar të perëndimit, të Amerikës dhe Pavarësisë së Kosovës, rusët edhe sot mundohen në forma të tilla ta pengojnë pavarësinë e Kosovës dhe ngjarjet në Kosovë t’i bashkërendisin me ngjarjet siç janë në Krime gjë që nuk është e drejtë. Ne duam lirinë e popujve kudo që janë, por lirinë tonë nuk e krahasojmë me ngjarjet në Krime.

Lajmi.net: Në kohën kur Kosova po shënon 15 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë vendim për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura. Kur FAK mund të bëhet pjesë e Aleancës Veriatlantike?

Rexhep Selimi: Duket kështu që Kryeministri i Kosovës tani ka marrë vendim për krijimin e Forcave të Armatosura. Uroj që të jetë kështu, për shkak se edhe mund të mos jetë kështu. Mund të mos jetë kështu nëse Kryeministri e bën Kosovën të paguaj shumë shtrenjtë për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Nëse do ta bënte shumë shtrenjtë atëherë do ta bënte me kërkimin për vendet e rezervuara në Parlamentin e Kosovës, që është çmim që nuk mund ta paguajmë ne. Por, sidoqoftë  Kryeministri i Kosovës do të duhej ta dinte që është protagonist i këtyre zhvillimeve në aspektin negativ që nga çarmatosja e UÇK-së, themelimi i TMK-së si organizatë civile, pastaj shuarja e TMK-së dhe formimi i FKS-së. Pra, në të gjitha këto periudha ka qenë i përfshirë Kryeministri i tanishëm, ku kontributi i tij ka qenë më shumë në degradimin e madhështisë që ka pasur UÇK-ja sesa në avancimin e saj, kështu që edhe tani nuk jam i sigurt që e ka krejt pa hile shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës për shkak se njëkohësisht e kërkon një gjë të tillë në Parlament bashkë edhe me vendet e rezervuara. Kështu që, nëse është për t’u paguar edhe me vendet e rezervuara atëherë ne nuk mund ta paguajmë këtë çmim.

Nëse janë Forcat e Armatosura të Kosovës, atëherë këto forca do të kenë shtrirje në të gjithë Kosovën dhe testin e parë do ta ketë qysh menjëherë në rast eventualisht të formimit të Forcave të Armatosura. Testi i parë do të jetë që a do ta kemi një repart përtej Ibrit apo jo. Nëse ne nuk kemi asnjë repart dhe asnjë ushtar përtej Ibrit, atëherë ky është një indikacion tjetër drejtë ndarjes së pretenduar të Kosovës.