Ancelotti kërkon fitore të njëpasnjëshme

Carlo Ancelotti ka këshilluar Real Madridin të mbetet i fokusuar, pas shkëputjes në La Liga. ‘Los Blancos’ u treguan të fuqishëm përballë Levantes në Santiago Bernabeu, ndërsa golat e Cristiano Ronaldos, Marcelos dhe autogolit të Nikos Karabelas, ia siguruan një fitore të rëndësishme ekipit madrilen. David Navarro u ndëshkua me karton të kuq për mysafirët,…

Sport

10/03/2014 08:20

Carlo Ancelotti ka këshilluar Real Madridin të mbetet i fokusuar, pas shkëputjes në La Liga.

‘Los Blancos’ u treguan të fuqishëm përballë Levantes në Santiago Bernabeu, ndërsa golat e Cristiano Ronaldos, Marcelos dhe autogolit të Nikos Karabelas, ia siguruan një fitore të rëndësishme ekipit madrilen.

David Navarro u ndëshkua me karton të kuq për mysafirët, duke ia dhënë mundësinë ekipit Merengues t’i ikin 4 pikë Barcelonës dhe 3 Atletico Madridit, në një luftë që po bëhet gjithnjë e më interesante, për titull të kampionit.

Mirëpo, trajneri italian nuk e ka ndërmend të rrijë i qetë, përkundër faktit se skuadra e tij ka 29 xhiro që nuk është mposhtur, në të gjitha kompeticionet.

“Ne duhet të fillojmë të fokusohemi në ndeshjen tjetër dhe ta fitojmë atë. Ishim gjashtë pikë prapa dhe tash jemi liderë”, deklaroi fillimisht ish trajneri i Juventusit, Milanit, Chelseat e PSG’së.

“Është e rëndësishme të mos mendojmë për shumë gjëra. Duhet të fokusohemi në lojë pas loje. Ajo që është e rëndësishme është që ta fitojmë ligën, e jo se si do ta fitojmë”, vazhdoi ai.

Nata e Ancelottit u prish paksa pas lëndimeve të mbrojtësve Raphael Varane e Daniel Carvajal, por duket lëndimet e tyre nuk janë kushedi se sa serioze.

Sidoqoftë, Reali po shkon me hapa të sigurt drejt titullit të kampionit në Spanjë, ndërsa ndërkohë e synon edhe Ligën e Kampionëve, ku është me një hap pranë çerekfinales.