Do t’i gjejmë vrasësit e Audrius’it
Në ceremoninë e lamtumirës të mbajtur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Shefi i EULEX’it, Bernd Borchardt, i premtoi familjes se rasti i vrasjes së tij do zbardhet.
Lajme
I mbështjellë me flamurin lituanez, arkivoli i pjesëtarit të vrarë të EULEX’it Audrius Senavicius u përcoll sot për në Atdhe, ku do të prehet trupi i pajetë i tij.
Në ceremoninë e lamtumirës të mbajtur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Shefi i EULEX’it, Bernd Borchardt i premtoi familjes së tij se rasti i vrasjes së tij do zbardhet.
“Për një gjë jam i sigurt dhe këtë mund t’ua premtoj se, nuk do të lëmë gur pa rrotulluar në përpjekjet tona për të sjellë autorin ose autorët para drejtësisë”.
“Nuk mundemi dhe nuk do të lejojmë që krimi, dhuna dhe kërcënimet, të na zmbrapsin nga përmbushja e misionit tonë. Besoj se kjo do të ishte dëshira edhe e kolegut tonë të vrarë”.
“Në këtë përpjekje tonë, ne qëndrojmë të bashkuar, Bashkimi Europian, dhe të gjithë partnerët tanë, qëndrojmë fuqishëm prapa misionit evropian. Të gjitha palët kanë premtuar të gjithë përkrahjen për të gjetur autorët”.
Edhe Presidentja Atifete Jahjaga i ka ngushëlluar kolegët e doganierit lituanez.
“E kam dënuar ashpër sulmin mbi EULEX-in javën e kaluar që shkaktoi këtë vdekje të parakohshme dhe jam siguruar nga të gjitha institucionet e Kosovës dhe partnerët tanë se nuk do të lëmë gurë pa lëvizur derisa t’i gjejmë kryesit e këtij sulmi qyqar”.
“Ky sulm është sulm mbi vlerat tona të përbashkëta nga forcat shkatërruese që duan ta ngufasin përparimin e Kosovës, që duan t’i përmbysin arritjet tona të shumta dhe që kanë për qëllim të mbjellin mosbesimin dhe frikën në zemrat e qytetarëve të Kosovës që po përpiqen dhe po bëjnë sakrifica të mëdha për ta transformuar shtetin tonë në një vend më të mirë”.
Përkujtimi për doganierin e ndjerë lituanez do të vazhdojë edhe sonte me një meshë përkujtimore e cila do të mbahet në Katedralen e Prishtinës.
Senavicius u vra në një pritë të enjten e kaluar kur ai u sulmua në pjesën veriore të Kosovës nga persona ende të panjohur.
Këtë sulm e dënuan krerët e të gjitha instancave në Kosovë por dhe faktori ndërkombëtarë.