Në zgjedhje do të shkohet me shpërndarjen e Kuvendit

PDK dhe LDK janë marr vesh që në zgjedhje të shkohet duke shpërbërë Kuvendin. Arben Gashi thotë se shpërbërja do të fillojë nga muaji prill, ndërsa Hajderin Kuçi thotë se kjo gjë po bëhet për t’u ruajtur konsensusi.

Lajme

05/03/2014 08:26

Kryeministri Hashim Thaçi dhe lideri i LDK’së Isa Mustafa janë marr vesh se në zgjedhje do të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, pa u marr vesh edhe me përfaqësuesit e tjerë të partive opozitare.

Nënkryetari i PDK’së, Hajderin Kuçi ka pranuar se për këtë skenar ka një pajtueshmëri. Ai thotë se me shpërndarjen e Kuvendit do të ruhej konsensusi politik.

 “Kemi një pajtueshmëri me LDK’në dhe me disa partyi të tjera që të shkohet me shpërbërje të Kuvendit me votim të dy të tretave të deputetëve, me çka do të ruhej konsensusi politik dhe asnjë palë nuk do të ndihej se është fituese apo humbëse, apo pjesë e lojës së dikujt tjetër”.

“Javën tjetër do ta bëjmë edhe agjendën”, ka thënë Kuçi për “Koha Ditore”.

Edhe Arben Gashi nga LDK ka pranuar se ka pasur një pajtim për një gjë të tillë. Ai thotë se shpërbërja do të ndodh kah fillimi i muajit prill.

“Është e vërtetë që ka një dakordim për këtë”.

“Pritet që shpërbërja të ndodh kah fillimi i prillit”.

E në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar të AAk’së, Ardian Gjini edhe pse thotë se partia e tij përkrahë çdo formë të rrëzimit të kësaj Qeverie, ai thotë se shkarkimi do të ishte idealja.

Gjini mendon se këto lloj konsensusesh po bëhen sepse “PDK’së po i dhemb se po shkarkohet”

Ne do ta përkrahim rënien e qeverisë, në cilindo variant. Por, ne po mendojmë që kjo Qeveri meriton të shkarkohet dhe jo të shkojë në shtëpi përmes shkarkimit të Kuvendit, përmes shpërndarjes së Kuvendit.

“Ne nuk kemi interes të bien në këso konsensusesh, për shkak se PDK’së po i dhemb që të shkarkohet. PDK’ja po do ta ruaj konsensusin, sepse po do ta ruajë veten prej shkarkimit”, ka thënë Gjini për “Koha Ditore”.

Ndryshe, për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten dy të tretat e deputetëve dhe shpërndarja bëhet me dekretin e Presidentit. E nëse ndodh ky skenar, Qeveria Thaçi dy, do të arrijë që të mos shkarkohet.