Plumb e Zink për mushkëritë e Obiliqit

Qytetarët e fshatit Bakshi të Obiliqit për më shumë se dy vjet po pësojnë nga një deponi afër shtëpive të tyre. Sipas banorëve, kjo deponi u soll nga Trepça nga të fortët e shtetit ku përballë tyre edhe Komuna ishte dorëzuar.

Lajme

03/03/2014 18:42

Fshati Bakshi i Komunës së Obiliqit tash e dy vjet po përballet me rrezikun që po i kanoset nga disa mbetje, sipas supozimit nga banorët e vendit, të sjellë nga Trepça, raporton KTV.

Këto mbetje janë të rrezikshme për banorët për shkak të plumbit dhe zinkut shumë të dëmshëm për njeriun. Ndërsa banorët këtë sjellje të mbetjeve po e shohin të ardhur nga të fortët e shtetit, ku përballë tyre është dorëzuar edhe vetë Komuna.

Banorët, duke folur për KTV’në, kanë treguar edhe për frikën që të hanë diçka nga të mbjellat në këtë tokë.

“I lusim që sa më shpejtë të na heqin këtë bërllok prej këtu, këtë xehër. Sepse, ky nuk është bërllok, por ky është xehër. Metalet na kanë thënë që janë më të rrezikshmet. Edhe në periferi të këtij rrethi nuk do të ketë bereqet. Ne e përdorim por shijen nuk ia ndihmë”, ka thënë njëri nga banorët e kësaj zone.

Ata kanë edhe kërkesë për Ministrin e Ambientit, Dardan Gashin.

“Sa është kjo kancerogjene a çfarë përbërje ka kjo materie që e kanë sjellë nga Mitrovica, s’kanë pasur ku të gjejnë tjetër vetëm në këtë rrafsh, kjo për këtë shoqëri edhe për ministrin e ambientin që po e ngritë zërin le të vije të urdhëroi, të sheh se ku po jetojmë ne si fshatarë me fëmijë, me pleq dhe të rinj.”

“Kjo është toka jonë, vendi jonë, duhet ta mbrojmë të gjithë”.

Se sa dhe si shkaktohet dëmi nga këto dy metale që përmban kjo mbetje ka treguar edhe Luan Shllaku nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur.

“Një pluhur i cili përmban shumë metale të rënda, plumb, zink dhe të tjera, është aktiv dhe ai vazhdimisht e sidomos në kohëra kur fryn era arrin deri te organet tona. Me fjalë tjera, ai vazhdimisht na helmon”.

Sipas KTV’së, ky vend nuk ka fare leje për deponi të asnjëlloji, ndërkaq për këtë ka edhe një padi në Gjykatë.