Konteksti negativ për Tribunalin
Ish Ministri i Drejtësisë, Haki Demolli, thotë se emërtimi \"Tribunal për UÇK'në\" do të prejudikonte që vetëm ushtarët e UÇK’së do të jenë në cilësinë e të pandehurit në atë Tribunal. Sipas tij, kjo do të krijonte kontekst negativ.
Lajme
Themelimi i një Tribunali Ndërkombëtar, në të cilin do të gjykoheshin pjesëtarë të dyshuar të ish Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për krimet e supozuara gjatë dhe pas luftës në Kosovë, do të prejudikonte që vetëm ata do të jenë në cilësinë e të pandehurit.
Kështu memndon ish Ministri i Drejtësisë, Haki Demolli, i cili, në një bisedë për lajmi.net, thotë se krimet më të mëdha në vend janë kryer nga forcat serbe, të cilat do të duhej të ballafaqoheshin me drejtësinë.
“Më mirë do të ishte që të themelohej Tribunali për Luftën në Kosovë, sepse në Kosovë, nëse emërtohet Tribunali për UÇK’në, atëherë do të prejudikonte që vetëm ushtarët e UÇK’së do të jenë në cilësinë e të pandehurit në Tribunal.”
“Dihet mirë se krimet më të mëdha në Kosovë janë kryer pikërisht nga forcat paramilitare, militare, e policore, të të gjitha natyrave të Serbisë”.
“Edhe pse dihet që një përvojë nga vendet e regjionit, përfshirë këtu edhe Kroacinë, edhe Bosnjën, edhe Serbinë, dhe të gjitha ata që kanë qenë në luftë, kanë krijuar tribunale të tilla, sepse është e pamundur që paskajshmërisht të funksionojë Tribunali i Hagës”.
Ideja për themelimin e këtij Tribunali nuk është duke u parë e pranueshme në opinionin kosovar. Por, Bashkësia ndërkombëtare është duke shqyrtuar mundësitë legale për themelimin e tij, ndërsa siç pohohet, janë dy opsione për ta themeluar atë: njëra përmes Kuvendit të Kosovës, e tjetra përmes një Rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB’së.
Deputeti i LDK’së, Haki Demolli, thotë se nuk duhet paragjykuar.
“Ne nuk bën t’i prejudikojmë gjërat, nuk duhet prejudikuar se është Tribunal për UÇK’në, apo për Kosovën, se do të ketë vetëm atë kontekstin negativ”.
“Tekefundit, Tribunali do të jetë një institucion, ose organ gjyqësor, i cili do të merret me ndarjen e drejtësisë, prandaj besoj se edhe nëpër Kuvend do të kalojë dhe të shohim se si forcat politike do të përcaktohen veç e veç për të”, thotë ai për lajmi.net.