Reforma zgjedhore përfundon javën e ardhshme
Kuvendi i Kosovës mund ta përfundojë reformën zgjedhore javën e ardhshme. Arben Gashi beson se brenda javës së ardhshme Ligji për Zgjedhjet do të shkojë për lexim të parë në Kuvend. Ndërsa Arsim Bajrami kërkon që zgjedhjet të përgatiten mirë.
Lajme
Komisioni për legjislacion pritet t`i jap fund dilemës së ashtuquajtur “Reforma Zgjedhore”.
Kryetari i këtij komisioni Arben Gashi i ka quajtur të panevojshme rekomandimet e Komisionit të Venedikut pasi sipas tij, nuk ka pasur ndryshime të mëdha, raporton RTK.
”Besoj se shumë shpejtë ligji do të jetë i gatshëm sa i përket punës në Komision, … ne besoj se brenda javës së ardhshme do ta kemi të gatshëm ligjin për lexim të parë”, theksoi Gashi.
Deputeti i LDK`së është shprehur se partia e tij është e gatshme për zgjedhje kurdo që mbahen ato,
”Çdo parti serioze duhet të jetë e gatshme të shkojë në zgjedhje, edhe LDK është e gatshme të shkojë në zgjedhje. Në sistemin aktual zgjedhor mund të shkojmë në zgjedhje, risku mund të jetë më i madh, por në politikë je për me marrë edhe risqe”, tha Gashi.
Në anën tjetër deputeti i PDK`së që njëherësh anëtar i Komisionit Parlamentar për Legjislacion , Arsim Bajrami kërkon që zgjedhjet të jenë të përgatitura mirë.
“ Ajo çfarë kërkojmë është që zgjedhjet të jenë mirë të përgatitura, që të mos ketë improvizime dhe për neve nuk është me rëndësi a do të mbahen zgjedhjet në qershor apo në shtator. Është me rëndësi se a do të mbahen në kushte normale në një stabilitet politik dhe ato të prodhojnë zgjedhje të mira me standarde ndërkombëtare”, theksoi Bajrami.
Bajrami thotë se Parlamenti duhet të gjykojë vetë se kur është koha e përshtatshme që të shkohet në zgjedhje të rregullta apo të parakohshme.
”Nëse eventualisht ekziston vullneti i partive politike për zgjedhje eventualisht ekziston mekanizmi i vetëm i vetë shpërndarjes së parlamentit”.
“ Parlamenti në bazë të Kushtetutës mund të votojë vetë shpërndarje dhe vetë shpërndarja imponon edhe zgjedhje të parakohshme, pra kësaj radhe nuk do të pritet që qeveria të luaj rol ne de bllokimin e situatës eventuale politike por parlamenti duhet të gjykojë vetë se në cilin moment është me e përshtatshme për partitë politike shkuraja në zgjedhje të parakohshme apo të rregullta”.