Qyshku i pakënaqur me dënimin e “Çakallëve”

Banorët e rajonit të Pejës janë shprehur të pakqënaqur me dënimin me 106 vjet burgim për 9 pjesëtarët e “Çakallëve”. Ata thonë se ky dënim është i vogël. Njërit prej të mbijetuarve të masakrës së Qyshkut, i vjen “marre”, për Gjykatën në Serbi.

Lajme

11/02/2014 20:48

Dënimi me 106 vjet burgim për 9 pjesëtarët e formacionit paramilitarë  serb“Çakallët”  nga një Gjykatë në Beograd, të cilët janë dënuar për vrasjen e 120 civilëve shqiptarë në masakrat në Qyshkë, Lubeniq dhe në fshatrat e tjera të Pejës, ka bërë që banorët por dhe të mbijetuarit e këtyre masakrave të jenë të pakënaqur me dënimin e dhënë.

Njëra nga të mbijetuarat e masakrës së Qyshkut, Fatime Gashi, e cila në këtë masakët humbi burrin dhe dy kunetërit, tha se dënimi i shqiptuar nga Gjykata serbe është i vogël.

“Unë po ndihem shumë keq, sepse ata i kanë marr 120 shpirta dhe për aq pak dënim që kanë marr, nuk është dënim i merituar aspak”.

“Kanë vra kaq shumë vetë, e me marr një dënim aq të vogël është shumë keq”, ka thënë ajo për RTK.

Edhe i mbijetuari tjetër i kësaj masakre Tahir Kelmendi thotë se i vjen “marre “ për vendimin e Gjykatës në Serbi.

“Unë kam qenë dëshmitar në Tribunalin e Hagës në vitin 2009 dhe dy herë në Beograd. Po më duket se më paska shkuar mundi krejt dëm. Aq i pakënaqur jam sa që, nuk po di, shumë shumë po kam stres të madh”.

“Mua po më vjen marre për Gjykatën në Serbi”.

Të mbijetuarit e kësaj masakre dhe banorët e Komunës së Pejës, si shenjë pakënaqësie për vendimin e Gjykatës, kanë paralajmëruar se do të bëjnë ankesë në organet kompetente. Madje ata presin që gjykimi i shkallës së dytë për pjesëtarët e formacionit “Çakallët”  ta bëj vet Prokuroria për Krimet e Luftës në Beograd, raporton RTK.