Roli lehtësus i Ukës për lëvizjen me viza
Dardan Gashi i bashkohet grupit nga “Lista Ibrahim Rugova” që besojnë në pafajësinë e Ukë Rugovës. Thotë se qëllimi i tij ka qenë t’u ndihmojë njerëzve për viza drejt Italisë.
Lajme
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, është befasuar me bastisjen që i është bërë shtëpisë së ish Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, për dyshimin se i bri Ukë Rugova është i përfshirë në krim të organizuar, bashkë edhe me një grup prej nëntë personash.
Duke folur në emisionin Info Magazinë të Klan Kosovës, Gashi ka thënë se mënyra si ka bastisur EULEX’i shtëpinë e Familjes Rugova ka qenë e pahijshme.
“Unë nuk e di për çfarë lidhje të krimit flitet, duhet të jemi më të kujdesshëm. Është familje që ka kontribuar shumë, ka vuajtur për këtë vend, ju kisha lutur të kemi kujdes me këtë”.
“Është jo vetëm befasuese, por shokuese”
“Fatmirësisht ende nuk e kam parë në pranga. Po e përsëris, është shumë befasuese, besojmë bashkë me partnerët e mi në pafajësinë e tij”.
“Roli i tij ka qenë lehtësues për t’ua mundësuar qytetarëve lëvizjen me viza. Nëse dikush e ka keqpërdorur këtë të mirë të Ukë Rugovës, ky proces gjyqësor do të zbardhë këtë rast”.
“T’i ndajmë këto dy çështje. Po flas kërkesën për shumë njerëz që kërkojnë nga Ambasadat, për të kërkuar vizë. Pjesa tjetër supozohet se ka pasur keqpërdorim të këtij procesi. Dhe , për këtë po ndodh ky operacion dhe 10 vetë janë të dyshuar”.
Ministri Gashi ka thënë se ka pasur një takim të zakonshëm me Ukë Rugovën, duke mos parë tek ai ndonjë shqetësim.
“Një ditë para se të ndodhte arresti kam pasur një takim me z.Rugova, nuk kam parë ndonjë shqetësim tek ai. Takim i përhershëm, si çdo herë”.
Ai beson në pafajësinë e Ukë Rugovës, duke deklaruar se shumë shpejt ai do t’i kthehet politikës, duke riformuar një LDK me listën dhe filozofinë e vjetër të kësaj partie.
“Jam i bindur që shumë shpejt Ukë Rugova do t’u kthehet aktiviteteve politike”, ka deklaruar Ministri Dardan Gashi për Info Magazinë të Klan Kosovës.