LDK i thotë Shpend Ahmetit: Manipulove me ujë, kërko falje
Pas letrës që Shpend Ahmeti i dërgoi Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi rreth problemeve për furnizim me ujë, LDK vlerëson se Kryetari i Prishtinës duhet “t’u kërkojë falje qytetarëve për manipulimet gjatë fushatës zgjedhore”.
Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës i kërkon Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti që ta mbajë fjalën e dhënë gjatë fushatës dhe t’ua bëjë të mundur banorëve të kryeqytetit furnizimin pa probleme me ujë.
Pas letrës që Ahmeti i dërgoi Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi rreth problemeve për furnizim me ujë, LDK vlerëson se Kryetari i Prishtinës duhet “t’u kërkojë falje qytetarëve për manipulimet gjatë fushatës zgjedhore”.
“Natën që u kryen zgjedhjet, z. Shpend Ahmeti para masës deklaroi se qytetarët do të lahen edhe në orën 3 të mëngjesit, sepse do të ketë ujë 24 orë”.
“Z. Ahmeti, pas një muaji në detyrë, e kuptoi se kjo nuk mund të zgjidhet brenda natës dhe nuk varet nga ai. Vërtet, z. Ahmeti e ka ditur këtë, por ka mashtruar hapur qytetarët, ndërsa tani i dërgon letra të hapura Kryeministrit për ndihmë si në balotazh, pikërisht atij që tash e sa vite e ka stopuar çdo projekt të Komunës së Prishtinës”.
Liqeni i Badovcit (Foto: Petrit Rrahmani, Lajmi.net)
“LDK konsideron se z. Ahmeti me vetëdije ka manipuluar dhe ka mashtruar qytetarët e Prishtinës. LDK-ja kërkon nga z. Ahmeti që t’i mbajë premtimet dhe që të kërkojë falje për manipulimin që ka bërë gjatë fushatës parazgjedhore”.
“Z. Ahmeti duhet ta kuptojë se është kryetar i Prishtinës dhe se duhet të sillet me përgjegjësi të lartë, të heq dorë nga konferencat e kota dhe të fillojë punët, meqë prej se është në krye të komunës, janë parë vetëm konferenca dhe asnjë punë konkrete, ndërsa Prishtina ka nevojë për punë në baza ditore”.
“Komuna e Prishtinës, bashkë me partnerët, ka siguruar 62 milionë euro, nga të cilat 20 milionë nga buxheti i komunës, për projektin e ujësjellësit, i cili do të përfundojë në vitin 2016. Por z. Ahmeti ka thënë se Prishtina ka ujë dhe se ne do të kemi 24 orë ujë posa ai të jetë kryetar i Komunës së Prishtinës”.
“LDK ia kujton z. Ahmeti se në gjashtë vite të qeverisjes LDK’së në Prishtinë dhe të Kryetarit Mustafa, Prishtina ka ndryshuar rrënjësisht”.
Në këtë drejtim, LDK ka përmendur kolektorët në Kalabri, në Fushën e Pajtimit dhe në rrugën Ibrahim Fehmiu.
Pastaj Rrugën B me gjithë kolektorë, Rrugën Ahmet Krasniqi, Tahir Zajmi dhe Rrugën Bill Klinton me nënkalim.
“Janë zgjeruar rrugët gjithkund nëpër qytet. Shumë fshatra janë bërë me rrugë moderne. Ndriçimi efiçient është vendosur gati në të gjitha rrugët. Të gjitha këto me një buxhet simbolik dhe me kosto të rrugëve përgjysmë më të lirë se të qeverisë, duke kursyer paranë publike”, ka thënë LDK.
“Z. Ahmeti bënë mirë të fillojë realizimin e premtimeve dhe të mos merret me kritika të pabaza. Raportin për secilën drejtori le ta sjell në Kuvendin e Komunës dhe janë këshilltarët komunal ata që në emër të qytetarëve do të vlerësojnë punën e bërë”, thuhet në reagimin e LDK’së.