Nuk kam vilë në Prevallë
Kryeministri Hashim Thaçi i dha mbështetje Ministrit të Mjedisit, Dardan Gashi në aksionin e rrënimit të vilave pa leje në Prevallë. Tha se nuk ia ka hatrin asnjë kolegu, se nuk ka vilë të veten aty dhe bëri thirrje për ndalimin e dëmtimit të Prevallës.

Lajme
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është ngjitur sot në bjeshkët e Prevallës për t’i dhënë mbështetje ministrit në kabinetin e tij, Dardan Gashi, në aksionin e nisur të rrënimit të ndërtimeve pa leje në këtë park.
Duke e vlerësuar Prevallën si “bukuri e jashtëzakonshme e Kosovës”, Thaçi ka bërë thirrje që ky vend të mbrohet nga “dëmtimi, shëmtimi dhe degradimi”.
“Jemi sot këtu, së bashku me ministrin Gashi që të shikojmë hapat e mëtejmë që po ndërmerren. Veprimet e para veç janë ndërmarrë, është pastruar një pjesë e madhe e hapësirës që ka qenë më herët e uzurpuar”.
“Do të vazhdohet edhe në pjesë të tjera dhe është një aksion që do të përfshihet në katër faza. Tani jemi në fazën e dytë”.
“I falënderoj qytetarët për mirëkuptimin e tyre që kanë treguar”.
“Ne si Qeveri e Kosovës do të vazhdojmë të investojmë në turizëm, të investojmë në ambient. Ai që investon në ambient të mirë, për mua është një patriot i madh, sepse është vetë shëndeti ynë”.
Kryeministri Thaçi ka mohuar të ketë edhe ai ndonjë vilë në Prevallë.
“Sikur ta kisha, do ta kisha deklaruar”, ka thënë ai.
Kur është pyetur nëse “do t’u mbetet hatri” kolegëve të tij në politikë të cilëve po u rrëzohen vilat, Thaçi është përgjigjur:
“Nuk jam këtu as për kolegët e mi, as për kundërshtarë politikë, jam për ambientin e Kosovës, jam në shërbim të gjithë qytetarëve të vendit dhe ambienti i pastër është në shërbim të të gjithëve, në interesin e shëndetit të të gjithëve”.
“Sa i përket kolegëve politikë dhe oponentët që ju përmendët, dua të theksoj se një nga frekuentuesit më të shpeshtë të kësaj bjeshke gjatë vikendeve, jam personalisht vetë, kështu që, i ftoj të gjithë për mbështetje dhe falënderoj shumë për mbështetjen që po e japin për të vazhduar thjeshtë pastrimin e këtij ambienti, sepse është në shërbimin e të gjithëve, qofshin ata të opozitës, qofshin të PDK’së. Por, ju e dini se vendimet që janë marrë edhe më herët, nuk ndërlidhen me mandate qeveritare apo të autoriteteve komunale. E theksova, dëmtimi dhe degradimi ka filluar qysh prej 1999 deri më sot”.
“Unë nuk jam këtu për tu marrë me parti politike. Faleminderit autoriteteve komunale për mbështetje të plotë që i kanë dhënë institucioneve të Republikës së Kosovës”.
“Besoj se qytetarët e dinë se ky degradim dhe shëmtim ka ndodhur që nga viti 1999 e deri më sot. Por, ne jemi të vendosur ta ndalim dhe këtu nuk ka asnjë qasje apo motiv politik. E gjitha është në shërbim të vendit dhe qytetarëve”, ka thënë Kryeministri Hashim Thaçi.