Këtë muaj përhajri i Q7’shit të Isa Mustafës

Shpend Ahmeti pat premtuar se do ta shesë veturën Isa Mustafës në ditët e para të qeverisjes së tij në Prishtinë. Por, një gjë e tillë do të vendoset me votat e asamblistëve, pasi që shtija e veturës të ketë hyrë në rend dite në Kuvend.

Lajme

03/02/2014 20:03

Vetura Audi Q7, e cila e bartte Isa Mustafën, ende ka mbetur në garazh.

Edhe pothuajse dy muaj pas ndërrimit të pushtetit në Komunën e Prishtinës, Shpend Ahmeti ende nuk e ka mbajtur premtimin e dhënë gjatë fushatës zgjedhore se punën e parë që do ta bëjë do të jetë shitja e Q7.

Mirëpo, siç raporton Klan Kosova, vetura pritet të shitet nëse votohet nga asambleistët në mbledhjet e ardhshme të Kuvendit Komunal.

Votimi për shitjen e kësaj veture pritet të ndodhë brenda këtij muaji, ka bërë të ditur Zëdhënësi i Komunës, Adonis Tahiri.

“Vetura Q7 që gjendet në parking, do të dalë në rend të ditës në seancën e Kuvendit. Deri më datën 11 kemi kohë ta përpilojmë rendin e ditës, kështu që, atë ditë do ta shohim nëse do të jetë për këtë seancë, apo për seancën e muajit të ardhshëm.”, ka thënë Tahiri, për Klan Kosova.

Por, këtë vendim s’po e shohin si të arsyeshëm opozita.

“Është një makinë e cila është blerë tanimë, dhe nuk mund t’i kthehen mjetet që janë shpenzuar aty. Edhe nëse shitet tani, do të shitet me një fond shumë më të vogël dhe, ndoshta kështu mund të dëmtohet edhe më shumë buxheti se sa që të mbahet makina”, ka deklaruar Lirak Çelaj nga PDK .

Ymer Rusinovci nga AAK, ndërkaq, ka edhe një propozim për Q7’shin.

“Propozimi ynë do të jetë që ajo veturë të shndërrohet në veturë protokolare, dhe mund të jetë e diskutueshme mënyra e menaxhimit të saj, qoftë sa i përket shpenzimit të karburanteve, qoftë sa i përket orarit të paspunës për moskeqpërdorimin e saj”.