Nisin takimet në Bruksel

Baronesha Catherine Ashton ka nisur takimet e ndara në Bruksel me Delegacionin nga Serbia dhe nga Kosova. Në takimin trepalësh, pritet të diskutohet për zbatimin e pikave të pazbatuara të Marrëveshjes së 19 Prillit.

Lajme

27/01/2014 16:41

Kanë filluar në Bruksel takimet e ndara të Përfaqësuesues së Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, me Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic.

Delegacioni i Serbisë, i përbërë nga Kryeministri Ivica Dacic dhe ZëvendësKryeministri Aleksandar Vucic, ka nisur i pari takimin me Baroneshën Ashton, në orën 17:00.

Ndërsa, Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga Kryeministri Hashim Thaçi, ka filluar takimin me Ashton në orën 18:00.

Me pas, Zëdhënësja e Baroneshës Ashton, Maja Kocijancic, ka deklaruar për B92 se do të fillojë takimi trepalësh, një darkë e përbashkët, në të cilën do të diskutohet për zbatimin Marrëveshjes së Brukselit.

“Është shënuar përparim, mirëpo ende ka çështje të hapura. Në takimin e sotëm do të diskutohet për këto çështje që vazhdojnë të mbesin të hapura”, ka thënë Kocijancic.

Dacic kishte deklaruar më herët se gjatë takimit të 21’të do të diskutohet lidhur me problemet që kanë të bëjnë Gjyqësorin dhe konstituimin Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë.