Hapi sytë kundër trafikimit
Fushata kundër trafikimit është lansuar me një ngjarje në sheshin Skënderbeu në Prishtinë. Rreth 60 fëmijë nga dy shkolla të Prishtinës formuan një “rreth njerëzor kundër trafikimit me qenie njerëzore”.
Lajme
Vetëm gjatë këtij viti, Policia e Kosovës ka arrestuar 150 persona dhe ka identifikuar 49 viktima të trafikimit, të cilat janë vënë nën mbrojtje të menjëhershme.
Këto shifra janë publikuar të mërkurën nga Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi gjatë hapjes së fushatës kombëtare “Hapi Sytë” e cila ka për qëllim ngritjen e vetëdijes kundër trafikimit me qenie njerëzore.
Fushata është lansuar me një ngjarje publike në sheshin Skënderbeu në Prishtinë. Rreth 60 fëmijë nga shkollat “Emin Duraku” dhe “Naim Frashëri” në Prishtinë formuan një “rreth njerëzor kundër trafikimit me qenie njerëzore”, duke dashur që në mënyrë simbolike të tregojnë se trafikimi mund të luftohet vetëm duke punuar së bashku.
Ministri Rexhepi tha se qeveria ka aprovuar ligjin për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz. Gjithashtu tha që publiku ndihmon shumë në parandalimin e kësaj dukurie.
“Tash kemi aprovuar ligjin për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit”.
“Publiku i gjerë është partner që do të na ndihmojë në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie”.
Ndërsa Zëvendës Ambasadorja e SHBA’ve në Kosovë, Kelly Degnan, përgëzoi policinë për punën që po bën në trajtimin e rasteve të trafikimit.
“Jemi shumë krenarë që Policia e Kosovës ka përmirësuar aftësitë për menaxhimin profesional të rasteve të trafikimit. Kjo është arritur pjesërisht edhe nga trajnimet tona por edhe nga puna e Ministrisë së Brendshme”.
“Nëse nuk ka ndëshkim të rëndë ndaj trafikuesve, atëherë kjo dukuri nuk mund të parandalohet”.
Ndërsa Koordinatori Nacional kundër trafikimit më qenie njerëzore, Sasa Rasic, tregoi qëllimin e kësaj fushate.
“Qëllimi i kësaj fushate është që të ketë më pak viktima dhe ta bëjmë Kosovën një vend më të sigurt. Qëllim i kemi fëmijët dhe gratë, sidomos gratë të cilat janë cak për trafikim”.