Me Strategji për sundim të ligjit
Bordi për Sundimin e Ligjit është pajtuar që ta hartojë një strategji dhe planin e veprimit në fushën e sundimit të ligjit. U tha se Kosova po ecën drejt liberalizimi të vizave, por proceset elektorale në Kosovë dhe Bruksel kanë ndikuar në shtyrjen e afateve.
Lajme
Bordi Bashkërendues për Sundimin e Ligjit ka rënë dakord që të hartojë strategjinë dhe planin e veprimit në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, i cili do të ndihmohet nga Bashkimi Europian për projektet e IPA`së.
Zyrtarë vendorë dhe ndërkombëtarë të cilët janë pjesë e këtij bordi e kanë cilësuar si të frytshëm takimin në të cilin janë diskutuar të arriturat në fushën e sundimit të ligjit dhe sfidat të cilat e presin vendin në këtë fushë.
Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se janë pajtuar që të ketë një udhërrëfyes për angazhimet e institucioneve vendore në fushën e ligjit.
“Diskutimet tona ishin të arriturat në fushën e rendit dhe ligjit dhe adresimi i sfidave për këtë muaj dhe muajin që do të vjen. Duhet të them që jemi pajtuar ta kemi edhe një udhërrëfyes për kohën tjetër për angazhimet tona dhe në takimin e radhës së bordit do ta miratojmë”.
“Ajo çka dua të them është që ka një vullnet të mirë të dyanshëm dhe të vendorëve dhe ndërkombëtarëve për angazhimet tona në fushën e rendit dhe ligjit për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe në këtë drejtim rezultatet do të jenë të prekshme”.
“Presim që në muajt në vijim të koncentrohemi edhe më shumë në këtë drejtim t`i ngrisim kapacitetet tona t`i forcojmë detyrat tona që kanë të bëjnë me stabilizim asociimin dhe në proceset tjera integruese”.
Kuçi foli edhe për çështjen e vizave.
“ Ajo çka duhet të them është që migracioni legal, zhvillimet e ndryshme që janë elektorale edhe në Kosovë edhe në Bruksel me siguri që do të ndikojnë në kuptimin e shtyrjes të ndonjë afati kohor. Kosova ka marrë një obligim i ka kryer dhe do t`i kryej të gjitha detyrat që do të vihen për të në procesin e liberalizimit të vizave. Vendimi merret në Bruksel”.
Përfaqësuesi Special i BE`së në Kosovë, Samuel Zbogar ka bërë të ditur se është arritur një dakordim në mes palëve për hartimin e një plani të veprimit në fushën e sundimit të ligjit.
“U diskutuan për çështje të ndryshme të fushës së sundimit të ligjit. Është arritur sukses por duhet të punohet edhe më shumë dhe duhet po ashtu të caktojmë objektivat se çfarë duhet të bëhet”.
“Si temë e diskutimit ishte pajtimi, ku Kosova ka rënë dakord për të përgatitur një strategji dhe plan të veprimit e cila merret me sundimin e ligjit posaçërisht duke u fokusuar mbi ndihmën e cila mund t`i ofrohet nga Bashkimi Europian për projektet e IPA`së”.
Sa i përket çështjeve të vizave, Zbogar ka thënë se Kosova është duke shkuar drejtë rrugës së liberalizimit të vizave.
“Ne nuk mund të flasim për data nuk është vetëm Komisioni Europian që është përgjegjës janë anëtarët e BE`së të cilët vendosin. Ka palë të ndryshme të cilat ndikojnë në vendim”.
“Padyshim se jemi drejt rrugës së liberalizimit të vizave, për mua është e vështirë të jap data ose premtime por mendoj se Kosova është duke ecur përpara drejtë plotësimit të kërkesave dhe kritereve në mënyrë që të ketë rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian”.
Shefi i misionit për sundimin e ligjit EULEX, Bernd Borchard, e ka cilësuar takimin si pozitiv.
“Ky ishte një takim shumë i mirë kemi marrë shënime për progresin të cilin e kemi arritur dhe për kompaktin të cilin e kemi bërë në 2012. Kemi diskutuar për fushat në të cilat është arritur sukses ku gjërat janë duke lëvizur sipas planit. Duhet të gjejmë fushat të cilat ku duhet të ketë më shumë punë si fushat e alokimit, e burimeve njerëzore dhe fushat e ndryshme”.
“Dy fusha të cilat i kemi diskutuar janë që ne kemi mundur të bëjmë një instrument të përbashkët që të kemi një përshtypje më të mirë sa i përket situatës së korrupsionit. E dyta është diskutimi mbi interferencën politike ku kemi pasur disa sugjerime lidhur me këtë ne do të bëjmë një grup të punës i cili do të punojë mbi këto propozime që janë bërë nga misioni se si t`i qasemi këtij fenomeni”, ka thënë Bernd Borchardt.