Zgjedhjet e parakohshme të domosdoshme
Dardan Molliqaj i konsideron zgjedhjet e parakohshme parlamentare të domosdoshme. Akuzon LDK’në e AAK’në për mbajtjen në Qeveri të Hashim Thaçit. Arsyet pse deri më tani s’po bëhet reforma zgjedhor janë ulëset e rezervuara.
Lajme
Sekretari organizativ i Vetëvendosje’s, Dardan Molliqaj ka kërkuar që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas tij, caktimit i datës së zgjedhjeve nuk varet nga përfundimi i reformës zgjedhore.
Në këtë kontekst, Molliqaj ka thënë për “Epoka e Re” se opozita i ka numrat për ta rrëzuar Qeverinë aktuale.
“Lëvizja Vetëvendosje! Është e gatshme për zgjedhje kurdo që mbahen. Si në qershor, po ashtu edhe në shtator janë kohë të përshtatshme për ne, vetëm se jemi të bindur se kjo Qeveri duhet të rrëzohet nga opozita e jo ajo ta rrëzojë veten”.
“Jemi për zgjedhje të parakohshme prej pozitës, kur opozita do ta rrëzonte Qeverinë duke pasur parasysh se edhe votat i ka në parlament për një veprim të tillë. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të domosdoshme, të paktën për dy arsye”.
“E para, sa më gjatë që kjo Qeveri ta qeverisë vendin aq më shumë dëm i bëhet interesit të shtetit dhe qytetarit. E dyta, pas gjithë këtyre dëmeve që ia ka bërë Qeveria Kosovës, duke pasur parasysh edhe faktin se opozita i ka edhe numrat për ta rrëzuar atë”. ka thënë ai për “Epoka e re”.
Dardan Molliqaj, Sekretar Organizativ i Lëvizjes VetëvendosjePërgjegjësinë më të madhe se pse kjo Qeveri po shkon me mandate të plotë, ai ia adreson Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Është krejt e pakuptimtë që Qeveria të vendosë se kur dhe si duhet të mbahen zgjedhjet”.
“Përgjegjësinë më të madhe, se pse kjo Qeveri po shkon me mandate pothuajse të plotë, e ka LDK’ja, sepse ky subjekt në radhë të parë ka mundësuar formimin e Qeverisë Thaçi 2, pastaj bashkë me AAK’në deri më sot po ia mundësojnë vazhdimin e qeverisjes Hashim Thaçit”.
Por, në këtë faj e ka futur edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, duke thënë se edhe këta bashkë me LDK’në po i mundësojnë vazhdimin e qeverisjes Hashim Thaçit.
“Pastaj bashkë me AAK’në deri më sot po ia mundësojnë vazhdimin e qeverisjes Hashim Thaçit. Në këtë kuptim, për të gjitha të këqijat që i kanë ndodhur Kosovës gjatë kësaj Qeverie ne e mbajmë fajtor Qeverinë dhe përgjegjëse LDK’në dhe AAK’në”.
Molliqaj ka vlerësuar se i tërë angazhimi rreth reformës zgjedhore është duke u bërë që minoriteteve në Kosovë t’u sigurohen edhe për një mandate vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Në këtë drejtim ai ka thënë se nuk ka nevojë as për reformë dhe as për vazhdimin e vendeve të rezervuara.
“Siç dihet tashmë, nuk po bëhet asnjë reformë në sistemin zgjedhor, krejt çka po del si rezultat i këtyre angazhimeve, është tentimi për vazhdimin, të paktën edhe për një mandate të ulëseve të rezervuara për minoritetet në Kuvendin e Kosovës”.
“Kosova nuk ka nevojë as për vazhdimin e këtyre ulëseve dhe as për reformë zgjedhore, por për disa ndryshime në procesin e administrimit të zgjedhjeve. Dhe, në këtë kuptim nuk kemi çka me pritë për reformë”.