Cliff: Ngecja në sundim të ligjit

Ian Cliff thotë se integrimi i Kosovës drejt BE’së mund të ngadalësohet nga mungesa e sundimit të ligjit.

Lajme

16/01/2014 09:56

Ambasadori britanik, Ian Cliff, thotë se ka pasur një marrëveshje xhentëlmenësh në mes vendeve të Quintit dhe partive parlamentare, ku është dhënë premtimi se do vazhdohen vendet e rezervuara për serbët edhe për një mandat.

“Një nga problemet që kemi diskutuar më herët dhe ka pothuajse konsensus të përgjithshëm është që vendet e rezervuara minoriteteve t’u zgjaten edhe për një mandat”, ka th[n[ ai p[r Koh[n Ditore.

“ Ka qenë një marrëveshje xhentëlmene me rastin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë mes vendeve të QUINT’it dhe partive të përfaqësuara në Kuvend ku kemi marrë premtime prej tyre se do të angazhohen fuqishëm që të vazhdohen vendet e rezervuara për serbët edhe për një mandat”.

Në një intervistë dhënë për Koha Ditore, Ian Cliff thotë se mungesa e sundimit të ligjit, mund të jetë pengesa e madhe e cila do të ngadalësonte procesin e integrimit të Kosovës.

“Çfarë do të mund ta ngadalësonte procesin e Kosovës drejt integrimit në BE është dështimi për të adresuar problemin e sundimit të ligjit. Ka ende perceptim se mungesa e sundimit të ligjit është duke dobësuar Kosovën”.

“Kosova tanimë ka nisur negociatat e Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe për këtë mendoj se gjërat janë në rrugë të duhur”.

Cliff, thotë se çështjet që kanë filluar në dialogu fillimisht duhet të mbyllen dhe më pas të hapen çështje të tjera.

“Duhet të përfundojnë marrëveshjet që tanimë janë arritur siç janë ato për energji dhe telekom. Po ashtu integrimi i serbëve në Policinë e Kosovës që ka nisur duhet të kryhet sa më shpejt”.

“Gjithçka që ka filluar në dialog duhet të përfundojë, në mënyrë që pas krijimit të qeverive të reja në Prishtinë dhe Beograd të diskutohen çështje të tjera sikurse janë personat e pagjetur, postat, hekurudhat etj”.