Mirë se vjen Dështim!

Përfaqësues të punëtorëve të PTK’së mirëpresin dështimin e shitjes së kompanisë. Ata thonë se PTK mund ta zhvillojë shtetin, nëse i lejohen investimet kapitale.

Lajme

05/01/2014 11:38

Qeveria mund të jetë zemëruar në deputetët e Kuvendit dhe Konsorciumi fitues AXOS & Najafi mund të jetë zemëruar në Qeverinë e Kosovë, por punëtorët e PTK’së i janë gëzuar dështimit të privatizimit të 75 përqind të aksioneve të kësaj kompanie

Organizata që përfaqëson punëtorët e PTK’së, Federata Sindikale e PTK’së, ka mirëpritur dështimin e privatizimit të PTK’së në fund të vitit të kaluar.

PTK është kompania më profitabile publike në Kosovë, ndërsa punëtorët e saj njihen në opinion si më fatlumët për shkak të pagave dhe privilegjeve tjera që gëzojnë duke punuar aty.

Për Kryetarin e kësaj federate sindikale, Milazim Alshiqi, Qeveria ka tentuar t’i shesë aksionet e PTK’së pa ligj të veçantë dhe pa transparencë.

Milazim Alshiqi, Kryetar i Federatës Sindikale të PTK’së

Alshiqi i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i anulojë vendimet që ndalojnë investimet në infrastrukturën e kësaj kompanie.

“Në qoftë se i lejohen investimet, unë besoj që të gjithë ata që kanë qenë gojëplotë se duhet të shitet me çdo kusht PTK’ja, do të binden se e kanë pasur gabim, sepse PTK’ja mund të zhvillohet, mund ta zhvillojë shtetin”.

Sipas tij, që nga fillimi, ky proces ka qenë i dështuar.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka tentuar ta bëjë shitjen e PTK’së pa ligj të veçantë, pa transparencë, pa marrëveshje ndërinstitucionale, pa analizë dhe arsyeshmëri para punonjësve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

“Përkrahja dhe kurajoja e juaj, të nderuar deputetë, ishte vendimtare në këtë proces, sepse pa bashkëpunimin e ndërsjellë nuk do të kishim mundur të arrijmë këtu, duke ruajtur punëtorët dhe këtë aset të çmuar të qytetarëve të Kosovës”.

“Mosprivatizimi i PTK’së na ka dhënë forcë dhe kurajë që në të ardhmen të ecim në rrugën tonë e cila është në interes të qytetarëve, kompanisë dhe të punësuarve të saj”, tha Alshiqi.

Vlera e ofruar për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK’së ka qenë 277 milionë euro, mirëpo procesi i privatizimit dështoi në fund të vitit që lamë pas, për shkak të refuzimit të Kuvendit që ta miratojë raportin e Komisionit Qeveritar për Privatizimin e PTK’së.