Raporton për Marrëveshjen për Energjinë
Edita Tahiri tha se Marrëveshja për Energjinë parasheh që të dyja shtetet, në radhë të parë të kryejnë të gjitha obligimet që kanë ndaj njëra tjetrës, në përputhje me Traktatin e Athinës për Energjinë.
Lajme
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, raportoi sot për Marrëveshjen e Energjisë në Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri të Kuvendi të Kosovës.
Tahiri tha se Marrëveshja për Energjinë parasheh që të dyja shtetet, në radhë të parë të kryejnë të gjitha obligimet që kanë ndaj njëra tjetrës, në përputhje me Traktatin e Athinës për Energjinë.
“Duke e thënë këtë përkufizim në fakt obligimet këtu janë të Serbisë ndaj Kosovës, sepse Serbia ka shkelur deri më tash Traktatin e Athinës ndaj Kosovës. Kjo marrëveshje rregullon marrëdhëniet ndërshtetërore në mes të dyja shteteve në fushën e energjisë”.
“Gjithashtu KOSTT’i, autoriteti i transmisionit të energjisë, më nuk do të jetë i penguar që të anëtarësohet në organizatat europiane dhe rajonale, si dhe Serbia tash e tuje nuk mund të shfrytëzojë rrugët e transmisionit të shtetit të Kosovës, pa kompensuar për atë shfrytëzim”.
“Të gjitha përdorimet që i ka bërë në të kaluarën, marrëveshja paraqet formimin e një komisioni, i cili do të bëjë llogaritjen e asaj, se sa Serbia i ka borxh Kosovës, përkatësisht operatori homolog i KOSTT’it, në Serbi, i ka borxh KOSTT’it në atë se ka përdorur rrugët transmetuese të shtetit tonë por nuk e ka kompensuar”.
Tahiri tha se në këtë pjesë thuhet se në qoftë se të dy palët nuk merren vesh për lartësinë e mjeteve financiare që mund të bëhen në emër të kompensimit, atëherë mund të krijohet edhe një arbitrim ndërkombëtar për këto çështje.
“Marrëveshja parasheh që KOSTT dhe autoriteti homolog në Serbi të paraqesin një bashkëpunim, bashkëpunim i cili duhet të bazohet në parimet e Traktati të Athinës për energji, dhe marrëveshja përcakton shuarjen e të gjithë operatorëve ilegalë të Serbisë në Kosovë e ju besoj që e keni parasysh, që ka operatore ilegal të Serbisë, qoftë në transmision, qoftë në distribucion, qoftë në furnizim, të gjitha këto do të shuhen”.
“Ndërkohë, operatori publik KEDS’i, mbetet operatori i vetëm publik për distribucion, ndërsa jemi pajtuar me këtë marrëveshje që në fund të vitit të ardhshëm është koha kur gjithë rajoni kalon në procesin e liberalizimit të tregut me energji elektrike”.
“Ne jemi pajtuar që në kohën kur të ndodhin këto ndryshime pozitive të liberalizimit, atëherë ne mund të ofrojmë lejimin apo licencimin e ndonjë kompanie të re, e cila dëshiron të marrë pjesë në tregun e energjisë si furnizues”.
“Pala serbe ka kërkuar edhe licencime për distribuim, siç edhe ju kemi njoftuar edhe më herët edhe tani po ju konfirmoj nuk është lejuar kjo, sepse KEDS’i është i vetmi distributor i licencuar i ligjshëm në bazë të ligjeve të Kosovës në këtë fushë”.
Sipas znj. Tahiri është më rëndësi të theksohet se me këtë marrëveshje, KOSTT’i do të marrë kontrollin mbi stacionin e Vallaçit, në të cilin për shkak të ndërhyrjeve ilegale ka pasur gjithmonë pengesa në këtë drejtim.
“Dhe, me këtë rast do të kemi normalizimin e gjendjes, ne fushën e energjisë, si dhe do të kemi sundimin e ligjit, ashtu siç bëhet edhe në të gjitha vendet demokratike dhe evropiane, ku rregullat e energjisë duhet të respektohen dhe tregu i energjisë duhet të funksionojë në bazë të ligjeve, të shtetit tonë, kornizës rregullatorë dhe Traktit të Athinës për energji”.