Mourinho sulmon me Eto’on

Jose Mourinho ka bërë të ditur se përforcimi i ri Samuel Eto’o, do të debutojë për Chelsean në ndeshjen kundër Evertonit të shtunën në Goodison Park. Ylli kamerunas iu bashkua gjigantit londinez në ditët e fundit të afatit kalimtar të verës nga Anzhi Makhachkala, dhe Mourinho planifikon ta aktivizojë menjëherë në duelin e radhës në…

Sport

13/09/2013 16:13

Jose Mourinho ka bërë të ditur se përforcimi i ri Samuel Eto’o, do të debutojë për Chelsean në ndeshjen kundër Evertonit të shtunën në Goodison Park.

Ylli kamerunas iu bashkua gjigantit londinez në ditët e fundit të afatit kalimtar të verës nga Anzhi Makhachkala, dhe Mourinho planifikon ta aktivizojë menjëherë në duelin e radhës në kuadër të xhiros së katërt në Premierligë.

“Të gjithë janë rikthyer në gjendje të mirë fizike pas detyrave ndërkombëtare. Eto’o do të ftohet në ekip dhe pritet të luajë. Ai është përshtatur mirë në stilin tonë të lojës. Teknikisht është shumë i mirë. Ai ka apetit natyral për gola dhe përcjellë përvojë në skuadër”, deklaroi Mourinho gjatë konferencës për shtyp.

Ndër të tjera, Special One theksoi se Tottenham duhet të konsiderohet si skuadra më e suksesshme e afatit kalimtar të verës, pavarësisht largimit të Gareth Bale.

“Tottenham është kampion. Ata sollën gjashtë, shtatë, tetë futbollistë reprezentues”, shtoi Mourinho i cili rikonfirmoi habinë e tij që Real Madridi e shiti mesfushorin Mesut Ozil në Arsenal.

“Jam i befasuar që Reali e lejoi largimin e Ozilit. Mesut u largua nga një klub i madh por ka ardhur në ligën më të madhe në botë, te një klub me ambicie të mëdha. I uroj çdo të mirë, por jo edhe aq shumë për shkak se luan te një rival direkt”, theksoi Mourinho.