Bisedime në distancë me Maqedoninë

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë për lajmi.net se palët po konsultohen për ta gjetur zgjidhjen me Maqedoninë. Ai pohon se negociatat s'po bëhen për kompromis, por për ta kthyer situatën ku ishte. Është i gatshëm të shkojë në Maqedoni, po pat nevojë.

Lajme

12/09/2013 14:56

Kosova dhe Maqedonia po diskutojnë në distancë për zgjidhjen e ngërçit tregtar, politik dhe të lëvizjes së lirë.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë për lajmi.net se palët janë duke negociuar, jo për ndonjë kompromis, por për ta kthyer situatën aty ku ka qenë para se Maqedonia të vendosë pagesë në kufi për shtetasit e Kosovës që hyjnë në Maqedoni.

“Jemi në fazën e konsultimeve permanente me Qeverinë e Maqedonisë për të gjetur zgjidhjen e cila garanton lëvizje të lirë të individëve, të mallrave ashtu siç ka qenë”.

“Jam në komunikim për të gjetur zgjidhjen. Ka mundësi që të bëhet marrëveshja edhe kështu (nga distanca). Por, nëse paraqitet nevoja shkoj në Shkup ose diku tjetër”.

Kjo situatë me Maqedoninë thuhet se mund të zgjidhet deri nesër.

Kuçi është inkuadruar në diskutimet me Maqedoninë për gjetjen e një zgjidhjeje pasi Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila dhe homologu i saj nga Shkupi Valon Saraqini nuk kanë mundur të gjejnë zgjidhje për problemin e krijuar.