Muhaxheri nuk është intervistuar

LDK në Pejë përgënjeshtron lajmin për intervistimin e Gazmend Muhaxherit nga Prokuroria duke e cilësuar lajmin si sajesë. Sipas LDK, kjo është “fushatë e pashpresë e AAK’së dhe disa medieve të afërta me AAK’në”.

Lajme

26/11/2013 16:27

Dega e Lidhjes demokratike të Kosovës në Pejë ka përgënjeshtruar lajmin për intervistimin nga prokuroria të kandidatit të saj për kryetar të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Në një deklaratë të lëshuar të martën në mbrëmje, LDK në Pejë e ka cilësuar si “sajesë” lajmin e publikuar më parë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës –  Dega në Pejë dëshiron të sqarojë se lajmi se kinse kandidati i LDK’së për kryetar të komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, është intervistuar nga Prokuroria nuk qëndron dhe është vetëm një sajesë.  Z. Muhaxheri nuk është kontaktuar nga asnjë prokuror dhe, rrjedhimisht, nuk është intervistuar nga askush”.

“LDK-ja konsideron se fushata e pashpresë e ditëve të fundit, e orkestruar nga AAK’ja dhe e ndihmuar nga medie të afërta me AAK’në, e drejtuar kundër z. Muhaxheri, është e padenjë dhe vetëm sa e tregon frikën e AAK-së për humbjen përfundimtare në Pejë”.

“LDK’ja i bën thirrje AAK’së që të heqë dorë nga fushata kundër z. Muhaxheri, të heqë dorë nga presionet dhe shantazhet që po ushtron ndaj qytetarëve të Pejës e të rrethinës dhe të përballet me verdiktin e votuese”.

“LDK’ja do të vijojë të punojë me të gjithë qytetarët e Pejës dhe të rrethinës edhe në ditët në vijim me përkushtim e korrektësi”, thuhet në deklaratën e Degës së LDK’së në Pejë.